Inspektorati Policor publikon bilancin e vitit, mbi 100 kallëzime penale dhe 129 rekomandime për suspendim

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka përmbyllur vitin 2025 me një aktivitet të lartë në monitorimin dhe mbikëqyrjen e punës së Policisë së Kosovës, duke u përqendruar në forcimin e integritetit dhe transparencës së shërbimit policor. Sipas të dhënave të publikuara nga IPK, deri më 26 dhjetor, janë pranuar dhe menaxhuar gjithsej 2,480 ankesa nga qytetarët. Nga këto, 1,753 janë trajtuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për hetime të mëtejshme në Drejtorinë për Hetime të Brendshme, ndërsa 717 ankesa janë shqyrtuar për dyshimin e veprimtarisë penale. Drejtori i IPK-së theksoi se: “Krahasuar me vitin 2024, kemi pranuar mbi 20% më shumë ankesa, gjë që tregon fuqizimin e besueshmërisë së qytetarëve në institucionin tonë dhe transparencën që ne ofrojmë në menaxhimin e çështjeve të policisë”. Gjatë vitit, IPK ka ndërmarrë një sërë veprimesh konkrete, duke përfshirë 47 arrestime (41 punonjës të PK-së dhe 6 qytetarë), 129 rekomandime për suspendim, 2 rekomandime për transfer, si dhe dorëzimin e 110 kallëzimeve penale dhe 36 raporteve të veçanta në prokurori. IPK ka raportuar se veprat penale më të shpeshta të trajtuara këtë vit përfshijnë keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, keqpërdorim të autoritetit zyrtar, rrezikim të trafikut publik, lëndim të lehtë trupor dhe kanosje. Gjithashtu, gjatë vitit janë realizuar 12 inspektime – pesë të rregullta dhe shtatë të jashtëzakonshme – nga të cilat janë dhënë 76 rekomandime për përmirësimin e performancës policore. Inspektimet kanë përfshirë menaxhimin e punësimeve dytësore, reagimin ndaj thirrjeve të qytetarëve, përdorimin e teknologjisë në trafik, administrimin e automjeteve të sekuestruara dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe trafikimit me narkotikë. IPK ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët dhe institucionet lokale e ndërkombëtare, duke u përfshirë në partneritete rajonale dhe ndërkombëtare si Partneriteti Evropian Kundër Korrupsionit (EPAC), si dhe duke marrë pjesë në konferenca dhe punëtori të specializuara. Në një prononcim zyrtar, drejtori i IPK-së shtoi: “Falënderim qytetarëve për bashkëpunimin. Ne mbetemi të përkushtuar në adresimin e shqetësimeve të qytetarëve dhe në zhvillimin e një shërbimi policor me integritet të lartë profesional dhe standarde evropiane”. Raporti i plotë vjetor i IPK-së për vitin 2025 do të publikohet së shpejti, duke ofruar detaje shtesë mbi aktivitetet, inspektimet dhe masat e ndërmarra gjatë gjithë vitit. / Telegrafi /