Trajnim sfidues në Belize, pjesëtarët e FSK-së kthehen me aftësi të avancuara operative

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot kontingjentin e pjesëtarëve të Operacioneve Speciale që përfunduan me sukses trajnimin intensiv në xhunglat tropikale të Belize, në bashkëpunim me njësitë Parashutiste të Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar. Trajnimi, pjesë e programit përgatitor për operacione në mjedise të vështira dhe komplekse, kishte për qëllim zhvillimin e aftësive për mbijetesë, lëvizje taktike dhe operime efektive në kushte ekstreme. Gjatë qëndrimit në xhungla, trupat u përballën me terren të dendur, klimë të ashpër dhe lodhje të vazhdueshme, duke testuar çdo aspekt të përgatitjes fizike dhe mendore. Komandanti Jashari i përgëzoi pjesëtarët për performancën e treguar, duke theksuar rëndësinë e disiplinës, qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit në operacione të tilla, “Ky trajnim sfidues dëshmon profesionalizmin dhe vendosmërinë e pjesëtarëve tanë, si dhe aftësinë për të vepruar në çdo mjedis operacional”, tha Jashari. Sipas FSK-së, stërvitja e realizuar në Belize përforcoi bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përgatitjen e njësive për sfida të ndryshme operative, duke kontribuar në avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në mjedise të vështira. / Telegrafi /