Institucioni i Avokatit të Popullit njofton se do të vëzhgojë procesin e Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025, që do të mbahen më 28 dhjetor, duke u fokusuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike të votimit. Duke theksuar rëndësinë e monitorimit të pavarur dhe të paanshëm, IAP do të mbulojë të gjitha qendrat e votimit në vend. “Përveç qendrave të zakonshme të votimit, do të vëzhgojmë edhe institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, si dhe shtëpitë integruese në komunitet”, thuhet në njoftim. IAP gjithashtu do të mbajë të hapur Zyrën Qendrore në Prishtinë gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve, për të pranuar çdo ankesë lidhur me shkelje të të drejtave të garantuara me ligj. “Qëllimi ynë është të sigurojmë një proces të drejtë dhe të paanshëm, ku çdo qytetar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij për votë në kushte të sigurta dhe të respektuara”, theksohet më tej. Institucioni i Avokatit të Popullit bën thirrje që të gjitha palët të respektojnë ligjin dhe të bashkëpunojnë me vëzhguesit gjatë gjithë procesit zgjedhor, duke garantuar kështu një mbarëvajtje transparente të zgjedhjeve. / Telegrafi /