Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka vendosur që më 5 shkurt 2026 të mbahet Kuvendi Zgjedhor 2026. KE konstatoi se përgatitjet për kuvendet zgjedhore kanë shkuar sipas dinamakës së paraparë, andaj më 5 shkurt 2026 do të jetë gjithçka e kompletuar. “Në lidhje me procesin zgjedhor, KE i FFK-së konstatoi se përgatitjet për kuvendet zgjedhore në regjione janë duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë. Në këtë kuadër, Komiteti Ekzekutiv vendosi që Kuvendi Zgjedhor i FFK-së të mbahet më 5 shkurt 2026”. Ndërkohë, KE e FFK-së vendosi edhe për ndarjen e një fondi simbolik për dhurata të Vitit të Ri për fëmijët e Luginës së Preshevës, si shenjë solidariteti dhe përkrahje. Komunikata e plotë më poshtë: Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur mbledhjen e fundit për këtë vit nën drejtimin e presidentit Agim Ademi. Rendi i ditës i kësaj mbledhje ishte aprovimi i procesverbalit të mbledhjes së kaluar, përmbyllja e vitit 2025, përgatitjet për procesin zgjedhor, si dhe pika të ndryshme. Në fillim, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi unanimisht procesverbalin e mbledhjes së kaluar. Duke folur për vitin 2025, presidenti Agim Ademi, theksoi se ky vit ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm në të gjitha segmentet, me arritje historike për futbollin e Kosovës. Ai vlerësoi se viti është përmbyllur shumë mirë, si në aspektin organizativ të Federatës, ashtu edhe me rezultatet e arritura nga Kombëtarja A dhe klubet kosovare në arenën evropiane. Presidenti Ademi potencoi rëndësinë e dy ndeshjeve të ardhshme të ‘play-off’-it të Kombëtares, duke theksuar se përqendrimi i plotë duhet të jetë në ndeshjen e parë ndaj Sllovakisë, me shpresën që Kombëtarja do të jetë në formën optimale në muajin mars dhe do t’i kalojë me sukses edhe këta dy hapa për të realizuar ëndrrën e shumë gjeneratave për paraqitjen e parë historike në Kupën e Botës. Po ashtu, u vlerësua pozitivisht edhe paraqitja e deritashme kualifikuese nga Kombëtarja U21, derisa u konsiderua si objektiv shumë i rëndësishëm kualifikimi në Kampionatin Evropian U21 në vitin 2027. U vlerësuan edhe sukseset e Kombëtares U17 të vajzave, si dhe paraqitjet e mira të FC Drita në Ligën e Konferencës dhe FC Prishtina 01 Ligën e Kampionëve në futsall. Sa i përket grupmoshave U15, U17 dhe U19, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së vlerësoi se ka hapësirë për përmirësim dhe se në këtë drejtim do të ketë rifreskim të stafeve teknike. U theksua rëndësia e zhvillimit që nis nga grupmosha U15, si dhe nevoja për reformë në nivel të regjioneve, me qëllim që përzgjedhja e talenteve të bëhet në mënyrë sa më meritore dhe profesionale. Në këtë kuadër, KE vendosi krijimin e një ekipi për zhvillimin e grupmoshave, të cilin nga KE do ta mbikqyrë Samir Ujkani. KE i FFK-së konstatoi se garat në të gjitha ligat gjatë këtij viti kanë shkuar shumë mirë. U vlerësua fakti që Kosova vazhdon të mbajë pozitë shumë të mirë në renditjen e UEFA-s për klube, duke u renditur në vendin e 36-të me 13.989 pikë, ndërsa në ranglistën e FIFA-s, Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur vitin me rekord historik, si kombëtarja me përparimin më të madh brenda një viti prej 19 vendesh, duke u pozicionuar në vendin e 80-të. Gjithashtu, u vlerësua rritja e vlerës së Superligës dhe klubeve kosovare në treg, çka dëshmon për një ngritje të gjithmbarshme të futbollit në vend. Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e vlerësoi shumë të rëndësishëm edhe faktin e rritjes së numrit të investitorëve seriozë në klube, duke theksuar se kjo po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së futbollit. KE u zotua se do të vazhdojë të punojë për krijimin e kushteve sa më të favorshme për investime në futboll. Në lidhje me procesin zgjedhor, KE i FFK-së konstatoi se përgatitjet për kuvendet zgjedhore në regjione janë duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë. Në këtë kuadër, Komiteti Ekzekutiv vendosi që Kuvendi Zgjedhor i FFK-së të mbahet më 5 shkurt 2026. Në fund të mbledhjes, KE i FFK-së miratoi propozimin e presidentit Agim Ademi për ndarjen e një fondi simbolik për dhurata të Vitit të Ri për fëmijët e Luginës së Preshevës, si shenjë solidariteti dhe përkrahjeje./ Telegrafi