Ndërmarrja publike Trainkos Sh.A. ka njoftuar se ka ndërmarrë hapa konkretë për shlyerjen e një pjese të konsiderueshme të obligimeve ndaj Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në vlerë prej 206,343.72 euro. Në një njoftim zyrtar të dërguar stafit dhe përfaqësuesve sindikalë, kryeshefi ekzekutiv i Trainkos, Agron Statovci, bën të ditur se këto mjete janë siguruar përmes kursimeve të realizuara nga masat për menaxhim racional të shpenzimeve. Me këtë pagesë synohet të mbulohen kontributet e papaguara për rreth 15 muaj, të trashëguara nga ish-menaxhmenti për periudhën 2020–2022 dhe janar–prill 2023. Sipas të dhënave zyrtare, në momentin e marrjes së menaxhimit, obligimet e Trainkos ndaj ATK-së përbëheshin nga: Obligime bazë: 633,235.34 euro, ndëshkime: 218,194.88 euro, interes: 227,575.13 euro Kjo e çon totalin e borxhit ndaj ATK-së në 1,079,005.35 euro. Në njoftim theksohet se, përveç borxheve tatimore, ekzistojnë edhe obligime ndaj operatorëve ekonomikë, si pasojë e keqmenaxhimit të periudhave të kaluara. Po ashtu, rikujtohet se në vitin 2020 linja hekurudhore Fushë Kosovë – Hani i Elezit ka qenë e mbyllur për shkak të rehabilitimit, ndërsa operimi ka vazhduar me numër të njëjtë trenash, duke ruajtur fluks të pandryshuar të shërbimeve. Trainkos bën të ditur se gjatë vitit 2024 punonjësit kanë përfituar rritje pagash, bazuar në vendimin e Bordit të Drejtorëve, të miratuar më 30 shtator 2025. Rritja përfshin 30 euro shtesë në pagën bazë për të gjithë punonjësit dhe 2.5 euro shtesë për çdo ditë pune, deri në një maksimum prej 85 euro.