Arsenali ka ndryshuar qëndrim sa i përket të ardhmes së sulmuesit Gabriel Jesus, duke mos qenë më i gatshëm ta lejojë largimin e tij në afatin kalimtar të janarit, pavarësisht se më herët kishte qenë i hapur për një shitje të mundshme. Trajneri Mikel Arteta e konsideron rikthimin në formë të brazilianit dhe rolin e tij në skuadër si elemente kyçe për pjesën e mbetur të sezonit. Sulmuesi 27-vjeçar ka rikonfirmuar rëndësinë e tij për ekipin, pavarësisht problemeve të shpeshta me lëndimet. Pas rikuperimit nga shqetësimet në muskujt e kofshës, Jesus ka nisur të aktivizohet rregullisht, duke sjellë intensitet në presion, lëvizje pa top dhe lojë lidhëse – elemente thelbësore në sistemin e Artetës. “Gabriel është shumë në formë. Ne kemi rritur gradualisht minutat e tij”. “Përderisa ishte në rregull fizikisht, të gjithë ishim të kënaqur ta linim në fushë. Kur filluam të shihnim shenja lodhjeje, e zëvendësuam, por jemi shumë të kënaqur me të”. Në mesin e vitit 2025, Arsenali kishte konsideruar seriozisht një shitje të mundshme të Gabriel Jesus në janar, veçanërisht për shkak të interesimit nga klubet saudite. Megjithatë, paraqitjet e fundit kanë ndryshuar llogaritjet në ‘Emirates’, pasi braziliani nuk shihet më si lojtar i tepërt në skuadër. Sezonin e kaluar, Gabriel Jesus regjistroi shtatë gola dhe dy asistime në 27 paraqitje për Arsenalin në të gjitha garat, duke treguar se edhe mes lëndimeve, ai mbetet një hallkë e rëndësishme në projektin e Artetës./ Telegrafi