Pavarësisht pasigurive dhe luhatjeve në tregjet financiare globale, Trusti Pensional i Kosovës pritet ta mbyllë vitin 2025 në pozitivisht. Kështu ka deklaruar Emanuel Bajra, kryesues i Bordit të Trustit, në “Përballje Podcast”, duke theksuar se fondi është ndërtuar për t’i përballuar pikërisht periudhat e paqëndrueshme në tregje. Bajra sqaroi se fondi pensional nuk duhet parë si investim afatshkurtër dhe se rëniet ditore apo mujore nuk e përcaktojnë të ardhmen financiare të kontribuuesve. “Fondi pensional nuk është investim për sot e nesër. Është investim për pensionimin. Luhatjet e sotme nuk e rrezikojnë të ardhmen e kontribuuesve”, tha ai shkruan Telegrafi. Sipas Bajrës, gjatë vitit 2025 Trusti është përballur me disa luhatje në tregje, por falë menaxhimit aktiv dhe diversifikimit të investimeve ka arritur t’i absorbojë goditjet pa rrezikuar stabilitetin e fondit. “Ne i kemi përballuar luhatjet shumë mirë. Kemi alokuar dhe rialokuar kapitalin aty ku kemi parë rënie dhe aty ku kemi parë mundësi për kthim”, theksoi Bajra. - YouTube www.youtube.com Ai shtoi se strategjia e investimeve është ndërtuar mbi parimin e sigurisë maksimale për kontribuuesit, duke mos e ekspozuar fondin ndaj rrezikut të panevojshëm, por duke shfrytëzuar mundësitë që krijohen në tregjet globale. “Natyra e fondeve pensionale nuk është si e investitorëve privatë. Ajo kërkon durim dhe planifikim afatgjatë”, u shpreh ai. Bajra theksoi se Trusti ka investuar në mënyrë të diversifikuar, përfshirë edhe në sektorin e mbrojtjes, me qëllim të ruajtjes së vlerës dhe rritjes graduale të kthimit. Në fund, Bajra e cilësoi fondin pensional të Kosovës si një arritje institucionale, duke vënë në pah disiplinën e kontribuuesve dhe menaxhimin profesional ndër vite. “Kosova sot ka një fond pensional gati katër miliardë eurosh. Kjo është storie suksesi dhe meritë e kontribuuesve dhe e menaxhimit institucional”, përfundoi Bajra. /Telegrafi/.