Kongresisti republikan, Mike Lawler, ka thënë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën mbetet e “fortë dhe dypartiake” në Kongresin amerikan, në një letër dërguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Në letër, të cilën Qeveria në detyrë e publikoi të premten në Facebook, thuhet: “Veprimet e fundit legjislative, duke përfshirë miratimin e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, nënvizojnë përkushtimin e vazhdueshëm të Amerikës ndaj së ardhmes euro-atlantike të Kosovës”. Përpjekjet e tilla, thuhet tutje në letër, janë të domosdoshme për promovimin e stabilitetit afatgjatë, sigurisë dhe sundimit të ligjit në mbarë Ballkanin Perëndimor. Ai po i referohej një Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, që u nënshkrua në ligj nga presidenti Donald Trump, javën e kaluar, në të cilin Kosovës dhe Serbisë gjithashtu u kërkohet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2023. Kjo letër vjen pasi Lawler e kishte takuar Kurtin gjatë vizitës së tij në Uashington në shtator, për çka e falënderoi në letër. Komentet e kongresistit republikan vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së pësuan goditje gjatë vitit 2025, kryesisht për shkak të vendimeve të Kurtit për ta shtrirë sovranitetin në veriun e banuar me shumicë serbe pa bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare. Madje këto veprime çuan në pezullimin paafat të një dialogu të planifikuar strategjik mes dy vendeve. Kurti i ka arsyetuar këto veprime si në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe së voni ka thënë se marrëdhëniet me SHBA-në “janë shumë të mira” dhe që mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale. Më 11 dhjetor, Kurti tha, po ashtu, se sa u përket mbrojtjes dhe sigurisë, raportet “kurrë nuk kanë qenë më të mira”.