Të merr shikimin pa dhimbje: Njihni me kohë ablacionin e retinës dhe glaukomën - mos i injoroni shenjat e vogla

Shikimi mund të rrezikohet edhe pa dhimbje. Prandaj, çdo ndryshim i papritur, sado i vogël të duket, duhet marrë seriozisht dhe vlerësuar nga mjeku specialist Ndryshimet e shkurtra të fushës së shikimit, që zgjasin vetëm disa sekonda, sidomos kur nuk shoqërohen me dhimbje, shpesh i konsiderojmë si të parëndësishme dhe kalimtare. Megjithatë, ato mund të jenë shenja paralajmëruese të sëmundjeve serioze të syrit. Kur bëhet fjalë për ablacionin e retinës, glaukomën apo infarktin e syrit, shikimi shpesh varet nga shpejtësia e reagimit . Oftalmologët theksojnë se disa simptoma nuk duhen anashkaluar kurrë. Blic i papritur drite, “njolla lundruese” në shikim Një blic i papritur drite ose shfaqja e një numri të madh pikash lundruese mund të jenë shenja të një sëmundjeje serioze të syrit, siç është ablacioni i retinës. Retina, pjesa e syrit thelbësore për shikimin, nuk ka receptorë dhimbjeje , prandaj ndryshimet vizuale janë shpesh i vetmi sinjal paralajmërues. Ekspertët theksojnë se një numër i madh njollash lundruese i shoqëruar me blice drite mund të tregojë një “alarm” në retinë. Pacientët me shkëputje të retinës shpesh raportojnë 20-30, madje edhe 40-50 njolla lundruese në fushën e shikimit. Megjithatë, mjekët sqarojnë se këto njolla mund të shfaqen edhe te një sy i shëndetshëm, për shembull kur dalim nga një ambient i errët në dritë të fortë. Por shfaqja e papritur dhe e shumtë e tyre nuk duhet neglizhuar . Një ekzaminim i plotë oftalmologjik, me zgjerim të bebëzave, mundëson zbulimin e hershëm të problemit dhe fillimin në kohë të trajtimit, duke siguruar rezultatet më të mira. “Perde” e errët që lëviz në fushën e shikimit Edhe ndjesia e një perdeje të errët që lëviz brenda fushës së shikimit mund të jetë shenjë e ablacionit të retinës. Kjo simptomë mund të shfaqet i vetëm ose i kombinuar me njolla lundruese, blice drite apo errësim të shikimit. Hija ose “perdja” që mbulon një pjesë të shikimit është një nga shenjat më serioze paralajmëruese në oftalmologji dhe konsiderohet gjendje urgjente, transmeton Telegrafi. Dhimbje në sy, skuqje dhe ndjeshmëri ndaj dritës Dhimbja e syrit e shoqëruar me skuqje, sidomos kur drita e fortë e përkeqëson shqetësimin, mund të tregojë inflamacion, rritje të presionit të syrit ose infeksion. Asnjë nga këto gjendje nuk lejon pritje. Dhimbja, skuqja, ndjeshmëria ndaj dritës dhe humbja e shkurtër e shikimit mund të jenë shenja të infeksioneve serioze, të cilat zakonisht kërkojnë trajtim të menjëhershëm me antibiotikë. Kujdes i veçantë duhet treguar kur dhimbja dhe skuqja shoqërohen me shikim shumë të turbullt , pasi kjo mund të sinjalizojë një sulm akut të glaukomës, një urgjencë që duhet trajtuar brenda pak orësh për të shmangur dëmtime të rënda të shikimit. Humbje e papritur dhe e përkohshme e shikimit Humbja e përkohshme e shikimit nuk duhet injoruar kurrë. Edhe nëse shikimi rikthehet brenda një ose dy minutash, kjo mund të jetë shenjë e një goditjeje në tru. Ky rrezik është veçanërisht i madh te personat me diabet, kolesterol të lartë ose tension të rritur të gjakut. Në këto raste, mjekët këshillojnë reagim të menjëhershëm dhe kontakt urgjent me shërbimet mjekësore. Shikimi mund të humbet edhe pa dhimbje . Infarkti i syrit ndodh si pasojë e bllokimit të enëve të gjakut të retinës dhe shoqërohet me rënie të papritur, akute dhe pa dhimbje të shikimit. Katër orët e para janë vendimtare për suksesin e trajtimit; përndryshe, mund të ndodhë humbje e përhershme e shikimit. Pamje të dyfishta Nëse shfaqen pamje të dyfishta, është e rëndësishme të përcaktohet nëse ato prekin të dy sytë apo vetëm njërin. Pamja e dyfishtë që prek vetëm një sy zakonisht është më pak serioze dhe lidhet me syrin e thatë, astigmatizmin ose kataraktën. Ndërsa pamja e dyfishtë që përfshin të dy sytë mund të tregojë probleme neurologjike, çrregullime të trurit, paralizë të nervave kranialë, tumor, aneurizëm apo edhe goditje në tru. Vija të drejta që duken të valëzuara ose të shtrembëruara Nëse fjalët në një reklamë rrugore apo skajet e drejta duken të përkulura ose valëzuese, kjo nuk duhet injoruar. Kjo mund të tregojë probleme me makulën , pjesën qendrore të retinës. Gjendje si degjenerimi makular i lagësht shpesh fillojnë pikërisht me këto simptoma, dhe trajtimi i hershëm është thelbësor. Testi i rrjetës së Amslerit është një mjet i thjeshtë për kontrollin e shikimit. Nëse vijat duken të shtrembëruara, mund të jetë shenjë e hershme e degjenerimit makular, një sëmundje që prek makulën dhe rreziku i së cilës rritet me moshën. Dallim në madhësinë e bebëzave ose rënie e kapakut të syrit Bebëza me madhësi të ndryshme ose rënia e kapakut të syrit mund të jenë shenja të problemeve neurologjike ose të enëve të gjakut, përfshirë aneurizmën ose goditjen në tru. Specialistët paralajmërojnë se këto simptoma, në disa raste, mund të jenë shenjë e tumoreve ose çrregullimeve serioze neurologjike. /Telegrafi/