Robert Lewandowski nuk ka asnjë plan për t’u larguar nga Barcelona, pavarësisht pasigurisë në rritje lidhur me rolin e tij në skuadër dhe situatën kontraktuale. Sipas “Sport”, sulmuesi 37-vjeçar dëshiron të qëndrojë në ‘Camp Nou’ dhe të rikthejë rëndësinë e tij në ekip, pasi ka humbur vendin e titullarit si numër 9, me Ferran Torres që ka fituar më shumë hapësira. Lewandowski po hyn në gjashtëmujorin e fundit të kontratës, e cila skadon më 30 qershor dhe duhet të bindë klubin që t’i ofrojë një rinovim. Nga 1 janari, ai është i lirë të negociojë me klube të tjera, me interes konkret që vjen nga MLS dhe Arabia Saudite. Këtë sezon, polaku ka shënuar tetë gola në La Liga, por ka kaluar një muaj pa gjetur rrugën e rrjetës, ndërsa problemet fizike janë bërë më të shpeshta. Kjo ka shtuar dilemat brenda klubit për vazhdimësinë e tij si lider i repartit ofensiv. Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, po e menaxhon me kujdes ngarkesën e tij, duke shpresuar që Lewandowski të jetë vendimtar në pjesën e dytë të sezonit. Strategjia është që përvoja dhe instinkti të shfrytëzohen maksimalisht në momentet kyçe. Nëse Lewandowski nuk arrin të rikthejë ndikimin dhe të riafirmohet si titullar i padiskutueshëm, largimi do të bëhej një opsion realist, duke detyruar Barcelonën të rishikojë planet për pozicionin e sulmuesit qendror./ Telegrafi