Kur temperatura bie, presioni rritet: Këshilla për ta përballuar dimrin me hipertension

Që presioni i gjakut të mbahet brenda vlerave normale gjatë dimrit, është e rëndësishme t’u kushtohet vëmendje zakoneve të përditshme Me rënien e temperaturave, te shumë njerëz vërehet rritje e presionit të gjakut, ndërsa te ata që tashmë vuajnë nga hipertensioni, shqetësimet mund të bëhen më të theksuara. Moti i ftohtë nuk ndikon vetëm në ndjesinë e parehatisë, por nxit edhe një sërë ndryshimesh fiziologjike që e ngarkojnë më tepër zemrën dhe enët e gjakut, shpjegon kardiologu dr. Tejal Tushar. - I ftohti ndikon drejtpërdrejt në enët e gjakut. Në temperatura të ulëta ato ngushtohen, proces që quhet vazokonstriksion. Kur enët janë më të ngushta, zemra duhet të pompojë gjakun me më shumë forcë, gjë që çon në rritje të presionit të gjakut. Përveç kësaj, dimri stimulon çlirimin e hormoneve të stresit, si adrenalina, e cila mund ta rrisë më tej presionin. Lëvizja më e pakët, ushqimi më kalorik dhe më i kripur, si dhe stresi më i madh gjatë festave, e përkeqësojnë edhe më shumë këtë problem, thekson kardiologu. Si ndikon i ftohti te personat me hipertension Te personat që tashmë kanë presion të lartë të gjakut, dimri mund ta përkeqësojë edhe më shumë gjendjen. Kur lëkura ndien të ftohtin, organizmi përpiqet të ruajë nxehtësinë, duke ngushtuar edhe më shumë enët e gjakut. Kjo krijon ngarkesë shtesë për zemrën dhe mund të shkaktojë rritje të papritura të presionit. - Moti i ftohtë aktivizon edhe sistemin nervor simpatik, gjë që mund të përshpejtojë rrahjet e zemrës dhe të rrisë më tej vlerat e presionit. Ky efekt është më i theksuar te personat e moshuar, si dhe te ata me hipertension afatgjatë ose me enë gjaku të ngushtuara, shton dr. Tejal, transmeton Telegrafi. Dimri dhe rreziku i shtuar për zemrën Muajt e ftohtë lidhen edhe me rrezik më të lartë për infarkt të zemrës, goditje në tru dhe përkeqësim të dështimit kardiak. Presioni i lartë i gjakut, gjaku më i trashë për shkak të dehidratimit të lehtë (sepse në dimër shpesh harrojmë të pimë ujë) dhe ngarkesa më e madhe e zemrës, së bashku rrisin rrezikun. Gjatë dimrit njerëzit lëvizin më pak, shpesh shtojnë peshë trupore dhe ndonjëherë neglizhojnë marrjen e terapisë gjatë festave, çka mund ta rrezikojë më tej shëndetin e zemrës. Sipas dr. Tejal, personat me hipertension e përballojnë më mirë një klimë të moderuar, pa luhatje të mëdha temperaturash. I ftohti ekstrem çon në ngushtim të enëve të gjakut, ndërsa nxehtësia e tepërt mund të shkaktojë dehidratim dhe ndryshime të papritura në punën e zemrës. Si ta mbani presionin e gjakut nën kontroll gjatë dimrit Për të ruajtur presionin e gjakut brenda kufijve normalë gjatë dimrit, është e rëndësishme të kujdeseni për zakonet e përditshme. Rekomandohet veshja e ngrohtë, veçanërisht mbrojtja e kokës, veshëve dhe duarve, sepse kjo ndihmon në uljen e ngushtimit të papritur të enëve të gjakut. – Aktiviteti fizik i rregullt, qoftë edhe shëtitje të shkurtra apo ushtrime brenda në shtëpi, ndihmon që enët e gjakut të mbeten elastike. Është gjithashtu e rëndësishme të kufizohet ushqimi i kripur, të pihet rregullisht ujë, të matet më shpesh presioni i gjakut, sidomos në mëngjes, dhe të shmanget ekspozimi i menjëhershëm ndaj të ftohtit pas zgjimit ose pas larjes. Terapia e përshkruar nga mjeku nuk duhet ndërprerë as gjatë festave, këshillon mjeku. Këshilla të veçanta për personat e moshuar Te personat e moshuar, ndjekja e rregullt e gjendjes shëndetësore gjatë dimrit ka rëndësi të veçantë. Rekomandohet matja më e shpeshtë e presionit të gjakut dhe, sipas nevojës, edhe EKG-ja, veçanërisht nëse shfaqen dhimbje në kraharor ose rrahje të shpejta të zemrës. – Kontrolli i funksionit të veshkave dhe i yndyrave në gjak ndihmon në vlerësimin e rrezikut të përgjithshëm kardiovaskular. Po ashtu, është e rëndësishme që ambientet të jenë të ngrohta, por të ajrosura, që trupi të ngrohet gradualisht para se të dilet jashtë dhe të merret mjaftueshëm lëngje, edhe kur nuk ndihet etje. Vëmendje duhet t’i kushtohet edhe marramendjes dhe paqëndrueshmërisë, sepse kombinimi i të ftohtit dhe terapisë mund t’i përkeqësojë këto simptoma, thekson dr. Tejal. /Telegrafi/