Kontratë apo largim? Florentino Perez ka marrë vendimin final për të ardhmen e Viniciusit

Sulmuesi i Real Madridit, Vinicius Junior, ka kontratë edhe për 18 muaj të tjerë me klubin madrilen dhe aktualisht ka pak shenja se kjo çështje do të zgjidhet shpejt. Megjithatë, ende ekzistojnë faktorë që i afrojnë të dyja palët në negociata. Sulmuesi brazilian raportohet se kishte rënë dakord për kushtet e një kontrate të re gjatë pranverës, por në qershor agjenti i tij rriti kërkesat ndaj Real Madridit. Kërkesa kryesore është që Vinicius të përfitojë të njëjtin nivel page si Kylian Mbappé, duke përfshirë edhe bonuset që i paguhen sulmuesit francez, diçka për të cilën Real Madridi nuk ka ndërmend të pajtohet. Pavarësisht që të dyja palët po qëndrojnë fort në pozicionet e tyre, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, vazhdon të jetë i vendosur për ta mbajtur Viniciusin në klub. Javën e kaluar u raportua se për herë të parë lojtari po e konsideronte largimin, pas pritjes armiqësore që kishte marrë nga tifozët në “Santiago Bernabeu”. Sipas RadioMarca , Perez nuk dëshiron “në asnjë rrethanë” që Vinicius të largohet nga klubi. Edhe pse në treg ka lojtarë të krahasueshëm, thuhet se nuk ka asnjë që është qartësisht më i mirë se braziliani. Po ashtu, theksohet se nuk do të ishte aspak e pazakontë që Vinicius ta rinovojë kontratën në muajt në vijim. Megjithatë, raportimet më të fundit sugjerojnë se bisedimet do të shtyhen deri në verën e ardhshme dhe mund të zhvillohen pas Kupës së Botës. Duke pasur parasysh rënien e formës gjatë vitit të fundit, Vinicius tani ndodhet nën presion gjithnjë e më të madh për të dëshmuar se e meriton kontratën që i është ofruar, e lëre më një marrëveshje të ngjashme me atë të Mbappes./ Telegrafi /