MASH: Nxënësit që janë në mjekim spitalor afatgjatë, mund të përfshihen në mësim online të organizuar nga mësuesi i tyre

Në gjysmëvjetorin e parë shkollor, 35 fëmijë që ndodhen në mjekim afatgjatë janë përfshirë në procesin mësimor, informuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Nga shtatori ka nisur zbatimi i zgjidhjes së re sistematike, sipas së cilës nxënësit që mungojnë nga mësimi më shumë se tri javë për shkak të mjekimit spitalor, mund të vazhdojnë shkollimin përmes: përfshirjes online, përdorimit të materialeve dhe detyrave të dërguara nga mësuesi dhe mësimit individual të organizuar nga mësuesi, varësisht nga gjendja e nxënësit. Në bashkëpunim me shoqatën “SANO” tashmë janë trajnuar166 mësimdhënës në 83 shkolla, ndërsa mbi 800 nxënës kanë marrë pjesë në trajnime për komunikim dhe mbështetje të shokëve të tyre të sëmurë. “Byroja për Zhvillimin e Arsimit ka pasur një sfidë të madhe për të ndërmarrë hapa historikë në përgatitjen e një dokumenti formal që u mundëson nxënësve në trajtim afatgjatë përfshirjen në mësim. Byroja do të vazhdojë të ofrojë mbështetje këshillimore për mësimdhënësit, me qëllim forcimin e kompetencave të tyre dhe garantimin që asnjë fëmijë të mos mbetet jashtë procesit arsimor”, tha Milka Trimçevska, Byroja për zhvillimin e Arsimit. “Pas një beteje dhjetëvjeçare, falë Ministrisë së Arsimit dhe ministres, sot të gjithë fëmijët që janë në trajtim shëndetësor kanë mundësi të mësojnë. Bëhet fjalë për mësim online dhe asnjë fëmijë nuk do të përjashtohet nga arsimi”, tha Marija Vuk, SANO.