Trajneri Pep Guardiola po sheh me optimizëm rikthimin e disa lojtarëve kyç nga lëndimet, teksa Manchester City synon të shtyjë fort drejt fitimit të disa trofeve madhorë këtë sezon, përfshirë edhe Ligën Premier. Guardiola ka pranuar se do të preferonte që City të ishte në krye të tabelës në Ligën Premier, por është i kënaqur që skuadra ndodhet shumë pranë liderëve të Arsenalit. Kampionët në fuqi janë vetëm dy pikë prapa londinezëve, përpara ndeshjes së fundjavës ndaj Nottingham Forest. Në Ligën e Kampionëve, Manchester City renditet në vendin e katërt dhe është pesë pikë prapa Arsenalit, por mbetet në pozicion të favorshëm për një kualifikim direkt në fazën e 1/8 së finales, nëse përfundon mes tetë skuadrave më të mira. “Do të preferoja të ishim 10 pikë para të gjithëve, por realiteti është ky. Arsenali po bën shumë mirë, por ne jemi aty… jemi ende në fund të dhjetorit”. “Në Ligën e Kampionëve jemi lart, në Ligën Premier po ashtu. Jemi në gjysmëfinale të Kupës së Ligës dhe së shpejti nis edhe FA Cup”. “Disa lojtarë shumë të rëndësishëm po kthehen, kështu që do ta shohim hap pas hapi, ndeshje pas ndeshjeje, çfarë do të ndodhë”. Një nga lajmet më të mira për Guardiolën është gjendja e Rodrit. Mesfushori spanjoll nuk ka luajtur që nga fillimi i nëntorit për shkak të një lëndimi në kofshë, por tani është shumë pranë rikthimit dhe mund të jetë i gatshëm për përballjen me Nottingham Forest. “Rodri është shumë, shumë më mirë. Nëse do të jetë i gatshëm apo jo, do ta vendosim sot”. “Jeremy Doku dhe John Stones ende nuk janë gati, por shumë shpejt do të kthehen”. /Telegrafi