Alarmi i KQZ-së: Në shumicën e qendrave të votimit mund të ketë ndërprerje të energjisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot për përgatitjet e fundit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Në këtë mbledhje, u tha se në Qendrat Komunale të Numërimit janë dërguar kamerat regjistruese, të cilat do të vendosen në vendvotime. Sërish është diskutuar për çështjen e energjisë elektrike, ku u theksua se në çdo qendër votimi do të jenë të pranishëm zyrtarë të KEDS-it. Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese më 28 dhjetor. “Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre politik. Me këtë rast kërkoj nga qytetarët që para se të dalin të votojnë, ta kontrollojnë qendrën e tyre të votimit, përmes platformës tonë në KQZ. U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që do të jenë të angazhuar gjatë ditës së zgjedhjeve, që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht. Me qëllim të ruajtjes së integritetit, besueshmërisë të procesit zgjedhor, KQZ ka bashkëpunim të ngushtë me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit”, tha Radoniqi. Edhe për procesin e nesërm të votimit në përfaqësi diplomatike, ai u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese. Drejtori i sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Besnik Buzhala tha janë transportuar të gjitha materialet jo të ndjeshme zgjedhore. “Me datën 23.12. 2025 janë transportuar të gjitha kamerat regjistruese të vendvotimeve dhe qendrave komunale të numërimit, të gjitha kamerat regjistruese tashmë janë pranuar nga Komisionet Komunale Zgjedhore dhe gjenden në Qendrat Komunale të Numërimit. Po ashtu, me datën 24 dhjetor 2025, KQZ ka realizuar transportimin e të gjitha materialeve jo të ndjeshme zgjedhore, të cilat po ashtu janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit. Materialet jo të ndjeshme të transportuara janë: 7842 kabina të votimit, 2614 kuti të votimit, përfshirë edhe kapakët e votimit, 59 mijë e 381 lidhës të sigurisë për kutitë e votimit dhe 2652 pako me materiale administrative që përfshihen në kuadër të Këshillave të Vendvotimeve të Rregullta dhe të dyfishta. Po ashtu, janë transportuar edhe pajisjet e teknologjisë informative për Qendrat Komunale të Numërimit, siç janë kompjuterët, fotokopjet”, u shpreh ai. Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u bë e ditur se nga kutitë postare në Berlin (Gjermani) dhe Bernë (Zvicër) janë tërhequr një pjesë e pakove me fletëvotime. “Me datën 23 dhjetor 2025 është kryer tërheqja e dërgesave postare nga kutitë postare në Berlin, Gjermani dhe në Bernë në Zvicër. Numri i zarfeve të tërhequra në Berlin është 10 mijë e 511, ndërsa numri i zarfeve të tërhequra në kutitë postare të KQZ-së në Bernë është 8000 sosh. Më datën 24 dhjetor, zarfet e tërhequra kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’, ku nën përcjelljen e Policisë ato janë sjellë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Po ashtu janë përgatitur dhe dërguar materialet për qendrat e votimit dhe përfaqësitë diplomatike. Me datën 24 dhjetor, Divizioni i Shërbimit të Votuesve ka mbajtur trajnim me menaxherët e qendrave të votimit, që në këtë rast janë shefat e misioneve diplomatike”, shtoi ai. Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi ka ngritur shqetësimin për sfidat që mund të paraqiten të dielën në mungesë të energjisë elektrike. “Dje kemi pranuar një raport, për të cilin nuk e di pse drejtori është dashur të raportojë mbi kërkesën tonë dhe kemi vendosur në kontakt KEDS-in, organet përgjegjëse për të siguruar energji të mjaftueshme ditën e zgjedhjeve. Një raport të cilin ju na keni dërguar, për mua është shumë shqetësues, për faktin se ka paralajmërime se diku në 888 qendra votimi mund të mos ketë energji elektrike. Kjo s’do të thotë që ndoshta tërë ditën por në këto qendra në bazë të informatave dhe raportit që posedojmë dhe për më keq, 666 prej tyre paraqesin rrezikshmëri të lartë që potencialisht nuk do të ketë energji elektrike. Kjo paraqet shqetësim të madh, për faktin se nuk e di tashmë errësohet herët dhe nuk e di se si do të zhvillohet procesi nëpër qendra të votimit ku nuk ka energji, ku nga këto 888, 491 prej tyre nuk posedojnë gjeneratorë. Këto shifra për mua janë shumë alarmante”, tha ai. Buzhala tha se sot janë takuar me përfaqësues të KOSTT-it, ku u është thënë se kanë një plan të veprimit për ditën e zgjedhjeve. “Sot e kemi pasur një takim edhe KOSTT-in, i cili është përgjegjës për transmisionin e energjisë elektrike. Pika më problematike në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë Rahoveci, e cila e shpërndan energjinë edhe për komunën e Malishevës, janë dy komuna që janë shumë problematike, është qendra e Prizrenit, ku transmisioni i cili e furnizon Prizrenin e furnizon edhe komplet komunën e Dragashit, këto janë shqetësimet më të mëdha të KOSTT-it sa i përket transmisionit, në anën tjetër edhe KEDS-i ditën e zgjedhjeve do të operojë diku me rreth 1050 zyrtarë në terren, që i bie që secila qendër e votimit do të jetë e mbuluar me një zyrtar të KEDS-it që do të jenë në funksion të procesit zgjedhor”, u përgjigj ai. Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në zgjedhje është 2,076,290. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1,999,205, ndërsa numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77,085. Kjo listë përmban 7,192 votues më shumë se në zgjedhjet lokale të datës 12 tetor 2025.