Kandidati për titull të Serie A e do me çdo kusht yllin e Bayern Munichut

Napoli është një nga klubet që po shfaq interes konkret për mesfushorin e Bayern Munich, Leon Goretzka, në afatin kalimtar të janarit. Gjigantët italianë po kërkojnë përforcime në mesfushë dhe gjermani është shndërruar në objektivin kryesor. 30-vjeçari iu bashkua Bayernit nga Schalke në verën e vitit 2018 dhe deri më tani ka regjistruar mbi 285 paraqitje me bavarezët, duke shënuar 46 gola në të gjitha garat. Kontrata e tij me Bayernin skadon në fund të këtij sezoni, ndërsa interesim për të kanë shfaqur edhe klube të tjera, përfshirë Atletico Madridin. Sipas raportimeve të “TuttomercatoWeb”, Napoli e ka vendosur Goretzkan në krye të listës së dëshirave për janarin. Kampionët e Serie A aktualisht renditen në vendin e tretë në tabelë pas 15 xhirove, me 31 pikë, një më pak se Milani i vendit të dytë dhe dy më pak se lideri Inter. Skuadra e Antonio Contes po vuan mungesat e disa lojtarëve kyç në mesfushë, si Kevin De Bruyne, Billy Gilmour dhe Frank Anguissa, kryesisht për shkak të lëndimeve, duke e lënë ekipin me pak alternativa në këtë repart. Për të mbajtur gjallë garën për Scudetton, Napoli ka nevojë për cilësi dhe eksperiencë në mesfushë, ndërsa Goretzka shihet si një profil ideal. Te Bayerni, Goretzka ndodhet pas Joshua Kimmich dhe Aleksandar Pavlovic në hierarkinë e mesfushës, por ai vazhdon të konsiderohet një lojtar i rëndësishëm në skuadrën e Vincent Kompanyt. Këtë sezon, mesfushori ka zhvilluar 14 ndeshje në Bundesliga, 12 prej tyre si titullar, ndërsa në Ligën e Kampionëve ka regjistruar vetëm pesë paraqitje si zëvendësues. Bayern Munich nuk është i prirur ta humbasë Goretzkan në janar dhe vetëm një ofertë bindëse nga Napoli apo ndonjë klub tjetër mund ta ndryshojë këtë qëndrim. Në të kundërt, gjermani pritet të qëndrojë në Mynih deri në fund të sezonit dhe të largohet si lojtar i lirë në verë./ Telegrafi