Agjenti i yllit të Barcelonës pritet të mbajë takim me përfaqësues nga Arabia Saudite

Robert Lewandowski raportohet se ka bërë një hap më afër largimit nga Barcelona, teksa përfaqësuesit e tij po përgatiten të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh me përfaqësues nga Arabia Saudite për një transferim të mundshëm dhe shumë fitimprurës në Lindjen e Mesme. Reprezentuesi i Polonisë po ashtu është në radarin e klubit të MLS-së, Chicago Fire, në prag të skadimit të kontratës së tij në fund të sezonit. Sipas një raporti të ri nga e përditshmja spanjolle AS , agjenti izraelit i Lewandowskit, Pini Zahavi, pritet të zhvillojë një takim të ri me zyrtarët e Arabisë Saudite përpara hapjes së afatit kalimtar të janarit, më 1 janar. Raporti pretendon se Lewandowski tashmë ka marrë një ofertë nga Lindja e Mesme, ndonëse nuk specifikohet se cilat klube janë të interesuara për shërbimet e sulmuesit, i cili këtë sezon ka shënuar tetë gola në 18 paraqitje në të gjitha garat me Barcelonën. 37-vjeçari besohet se është i tërhequr nga mundësia për të luajtur në Lindjen e Mesme, ku Superliga e Arabisë strehon disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, përfshirë Al-Nassr me yllin portugez Cristiano Ronaldo, si dhe dyshen e Al-Ittihad, Karim Benzema dhe N’Golo Kante. Në një raport të veçantë të BBC më herët gjatë këtij muaji, u bë e ditur se përfaqësuesit e Leëandoëskit kanë zhvilluar bisedime edhe me Chicago Fire për një transferim të mundshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Chicago Fire, klub që më parë ka tentuar të transferojë emra të mëdhenj si Neymar dhe Kevin De Bruyne në vitin 2025, raportohet se e ka vendosur Lewandowskin si objektiv prioritar për të paktën gjashtë muaj, veçanërisht duke pasur parasysh se Çikago ka komunitetin më të madh polak në SHBA./ Telegrafi /