Artisti i njohur Yll Limani ka qenë i ftuar së fundmi në emisionin “Ndryshe”, me Elona Duro dhe Salsano Rrapi, ku në një intervistë ekskluzive për Top Albania Radio ka folur hapur jo vetëm për muzikën dhe albumin e tij më të ri, por edhe për jetën personale dhe raportin me dashurinë. Gjatë bisedës, Yll Limani nuk u rezervua aspak në përgjigjet e tij, duke treguar se aktualisht është beqar. I pyetur nga Elona për statusin e tij sentimental, këngëtari pranoi se dy vitet e fundit kanë qenë të mbushura me ulje dhe ngritje në këtë aspekt, por se tashmë ka ardhur në një pikë reflektimi. “Momentalisht jam single. Këto dy vitet e fundit kam pasur ulje–ngritje në atë departament. Në fakt tani kam shumë qejf, të them të drejtën, që siç thonë njerëzit të rehatohem. Çfarëdolloj përpjekje që e bëj, nëse shkruaj, nëse dal apo nëse flas me ty, përfundimi është që të jetë diçka serioze dhe me kuptim, që zgjat dhe që është një lloj qendre e ditës dhe e jetës”, u shpreh ai. - YouTube youtu.be Artisti u ndal edhe te sfidat që sjell profesioni i tij në ndërtimin e një lidhjeje të qëndrueshme. I pyetur nëse ndonjë lidhje e tij ka dështuar për shkak të karrierës, Ylli pranoi se dinamika e jetës artistike shpesh bëhet pengesë. “Ajo është gjithmonë problematike dhe pengesë, sepse nuk e fajësoj fare këdo që ka problem me dinamikën dhe jetën si ne artistët. Mendoj që sa më shumë të dinë njerëzit, aq më shumë energjia shteron”, tha ai. Në fund, këngëtari foli edhe për dallimin mes dashurisë që këndohet në këngë dhe asaj që jetohet në realitet, duke pranuar se kjo e fundit është shumë më e ndërlikuar. “Është. Unë jam më i komplikuar. Mundohem që të mos bëhem shumë toksik. Tani, sa më shumë kalon koha, aq më shumë i shëndetshëm duhet të bëhem”, përfundoi Yll Limani. Intervista u prit me interes të madh nga publiku, duke konfirmuar edhe një herë se Yll Limani mbetet një nga artistët më të ndjekur, jo vetëm për muzikën e tij, por edhe për sinqeritetin me të cilin flet për jetën personale. /Telegrafi/