Befason Unai Emery: Chelsea favorit për titull në Ligën Premier

Trajneri i Aston Villa, Unai Emery, ka folur para udhëtimit të skuadrës në “Stamford Bridge”, duke e cilësuar përballjen ndaj Chelseat si një nga testet më të vështira të sezonit në Ligën Premier. Tekniku spanjoll ka theksuar respektin maksimal për rivalin londinez, duke vlerësuar cilësinë e lojtarëve, stafin teknik dhe formën në rritje të skuadrës së Enzo Marescas. “Ne e respektojmë shumë vështirësinë e Ligës Premier dhe faktin se po luajmë kundër Chelseat. Ata janë favoritë për të qenë në top katër dhe favoritë për të luftuar për titullin në Ligën Premier, sepse kanë lojtarë shumë të mirë, një trajner shumë të mirë dhe janë duke u përmirësuar vazhdimisht”. “Ata janë kampionët e Botërorit të Klubeve dhe kjo do të thotë shumë. Tani janë pas nesh në renditje, por ndihen shumë të fortë dhe po luajnë me vetëbesim. Po konkurrojnë shumë mirë ndaj skuadrave më të mira”. “Ata e kanë mposhtur Liverpoolin në shtëpi, kanë konkurruar në mënyrë fantastike kundër Arsenalit duke barazuar, e kanë mposhtur Barcelonën në Ligën e Kampionëve dhe fituan edhe ndeshjen e fundit në shtëpi kundër Evertonit”. “Ata ndihen shumë të fortë në shtëpi. Ajo që ka shumë rëndësi është se si ndihemi ne tani, me momentumin që kemi. Nesër është një test shumë i madh për ne. Një test i madh në Chelsea, një test i madh si mysafir, një test i madh për mënyrën se si do të reagojmë jashtë fushe kundër një skuadre si Chelsea”. “Jemi shumë të motivuar dhe të emocionuar për mënyrën se si do t’i përballim nesër. Jemi të fokusuar maksimalisht në këtë ndeshje për të provuar të japim më të mirën tonë”, deklaroi ai. Përballja mes Chelseas dhe Villas do të zhvillohet të shtunën prej orës 18:30./ Telegrafi