Dyzet kamionë të rinj për “Higjienën Komunale” do të furnizohen deri në prill, njoftoi kryetari i Qytetit Të Shkupit Orce Gjorgjievski. Disa prej tyre do të blihen përmes furnizimit publik, për të cilin janë siguruar mjete në Buxhetin e Qytetit të Shkupit, ndërsa një pjesë përmes Bankës Botërore. “Do t’i furnizojmë deri në prill në dy faza (nga njëra anë, ne vetë do të kryejmë një furnizim publik përmes “Higjienës Komunale”, për të cilën kemi ndarë mjete në buxhet, dhe nga ana tjetër, Ministria e Transportit përmes Bankës Botërore). Ky është tashmë lajm për qytetin, do të furnizojmë kamionë që do të kursejnë në karburant, në shërbime, të cilët do t’i plotësojnë plotësisht nevojat e banorëve të Shkupit”, tha sonte Gjorgjievski në ditarin qendror të lajmeve në televizionin “Sitel”. Gjorgievski kujtoi se në “Higjienën Komunale” kishte vetëm 16 kamionë funksionalë dhe se tani ka rreth 40 deri në 50 kamionë, por për shkak të vjetërsisë së automjeteve dhe defekteve të shpeshta, numri i automjeteve funksionale po zvogëlohet çdo ditë. Sipas tij, situata me mbeturinat në Shkup është shumë më e mirë se më parë, por ai megjithatë thotë se ekziston një përqindje e vogël e popullsisë neglizhente për shkak të së cilës vuan e gjithë popullsia. Në periudhën e kaluar, siç theksoi ai, janë dhënë qindra paralajmërime dhe gjoba. Deri në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm pritet të normalizohet situata edhe me transportin publik kur duhet të mbërrijnë autobusët e rinj. Ai e pranon se ende ka mangësi në disa vende të caktuara, por që problemet po tejkalohen. Ai thotë se furnizimet për disa pjesë nuk janë paguar dhe se kjo ishte një nga sfidat me të cilat u përballën që në fillim. “Prandaj kishte shumë autobusë që ishin jofunksionalë dhe shumë kamionë nga “Higjiena Komunale” që ishin jofunksionalë”, tha Gjorgjievski.