“Do të luftojmë për të”, komenti prekës i Granit Xhakës për tifozin e Sunderlandit që humbi babanë bëhet viral në rrjetet sociale

Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, ka bërë një koment që ka prekur zemrat e shumë njerëzve në rrjetet sociale, duke treguar edhe një herë anën e tij njerëzore jashtë fushës së blertë. Mesfushori shqiptar i ka dhënë mbështetje morale një tifozi të Sunderlandit, të cilit i ka ndërruar jetë babai, duke lënë një mesazh që u shpërnda me shpejtësi në platforma të ndryshme sociale. Në muajin prill, Ross Appleby, një përkrahës ikonë i Sunderlandit, vdiq pas një sëmundjeje të rëndë. Djali i tij, Ray, kishte shprehur dhimbjen për humbjen e babait përmes një postimi në TikTok, duke përmendur edhe rikthimin e Sunderlandit në Liga Premier dhe paraqitjet e shkëlqyera të skuadrës këtë sezon. Megjithatë, ai nuk e kishte pritur reagimin e kapitenit të ekipit. Në postimin e Rayt, Granit Xhaka la një koment të fuqishëm dhe emocionues: “Ne do të luftojmë për të në çdo ndeshje”. Ky mesazh u prit me shumë emocione nga djali i tifozit të ndjerë, i cili falënderoi publikisht Xhakën për gjestin e tij, duke vlerësuar mbështetjen dhe respektin e treguar. Ndërkohë, Xhaka pritet t’u japë një motivim të madh edhe bashkëlojtarëve të tij për ndeshjen e radhës ndaj Leedsit, e vlefshme për xhiron e 18-të të Liga Premier. Përndryshe, Xhaka është shndërruar në një nga transferimet më të suksesshme të verës në futbollin anglez, pasi iu bashkua Sunderlandit nga Bayer Leverkuseni. Më herët, ai kishte kaluar shtatë vite te Arsenali, ndërsa për katër sezone kishte veshur fanellën e Borussia Monchengladbachut./ Telegrafi