Në praninë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) të premten, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ka mbajtur ceremoninë tradicionale “Laureatët 2025”. Çmimet kryesore të mbrëmjes u fituan nga Egzon Gjuka dhe Tina Hetemi. Gjuka u shpall për herë të pestë radhazi hendbollisti më i mirë i vitit në Kosovë. Ai udhëhoqi Rahovecin drejt titullit të kampionit dhe u dallua gjithashtu me paraqitje të shkëlqyera edhe në Kombëtaren e Kosovës. Ndërkohë, Tina Hetemi u shpall hendbollistja më e mirë e vitit për herë të parë. Ajo pati paraqitje shumë të mira gjatë gjithë vitit me Samadrexhën, ndërsa kontribuoi me sukses edhe në ndeshjet e Kombëtares. Ceremonia nisi me fjalimin përshëndetës të Presidentes Osmani, e cila foli për sfidat e sportit kosovar dhe sukseset e sportistëve, me theks të veçantë te hendbollistët. Më pas, Presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci, prezantoi të arriturat e federatës gjatë vitit 2025, si dhe jubile të rëndësishme institucionale. Si zakonisht, u ndanë edhe çmime dhe shpërblime të shumta individuale e kolektive. Lojtarët më të mirë të Kombëtares u shpallën Leonard Gegaj dhe Mirjeta Bytyqi. Në shtatëshen më të mirë te hendbollistët, përveç Egzon Gjukës, u përzgjodhën edhe: portieri Olt Kabashi (Besa Famgas), aloja e majtë Lulzim Shabani (Rahoveci), fundori i majtë Deniz Terziqi (Besa Famgas), lojtari i vijës Jeton Bislimi (Kastrioti), fundori i djathtë Arbios Mushkolaj (Rahoveci) dhe aloja e djathtë Enis Kuleta (Prishtina). Ardit Tafilaj nga Rahoveci u shpall lojtari më i mirë i mbrojtjes, ndërsa Jon Vokshi i Besa Famgas fitoi çmimin e golashënuesit më të mirë me plot 255 gola. Te hendbollistet, shtatëshja më e mirë përbëhet nga: Marisa Berisha (portiere – Shqiponja), Arjeta Imeraj (alo e majtë – Tereza), Amanda Toledo Abreu (fundore e majtë – Samadrexha), Tina Hetemi (qendër – Samadrexha), Suzana Ujkiq (lojtare e vijës – Istogu), Sevdanur Ozkan (fundore e djathtë – Ferizaj) dhe Dijana Ujkiq (alo e djathtë – Istogu). Fetane Uzunlar e Ferizajt u shpall lojtarja më e mirë e mbrojtjes, ndërsa Alma Nivokazi e Shqiponjës fitoi çmimin e golashënueses më të mirë të vitit me 175 gola. Klubet më të mira të vitit u shpallën Rahoveci në konkurrencën e meshkujve dhe Istogu te femrat. Ndërkohë, klube të tjera të vlerësuara ishin: Besa Famgas (juniorë, kadetë), Deçani (pionierë), Prizreni (fatosë); Samadrexha (kadete), Vushtrria (pioniere) dhe Besa (fatose). Faruk Shala i Istogut u shpall trajneri më i mirë i vitit në konkurrencën e femrave. Genc dhe Getoar Bujupi u vlerësuan si dyshja më e mirë e vitit te gjyqtarët, ndërsa Fisnik Jashari i Kastriotit u shpall Punëtori Sportiv i Vitit 2025. FHK-ja ndau gjithashtu mirënjohje për Shpresat e Vitit, si dhe mirënjohje Post Mortem për personalitete të shumta që kanë dhënë kontribut të çmuar në hendbollin kosovar, duke nderuar trashëgiminë dhe punën e tyre ndër vite./ Telegrafi