MPJD fton diasporën të dalin në votime: Vota juaj është e rëndësishme

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bën të ditur se në koordinim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit të votimit për qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit. MPJD rikujton se votimi në përfaqësitë diplomatike organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. “Sot, duke filluar nga ora 07:00, përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës janë të hapura dhe në dispozicion të qytetarëve tanë të regjistruar për të ushtruar të drejtën e tyre të votës”, thuhet në njoftim. “Vota juaj është e rëndësishme. Ju ftojmë të merrni pjesë në procesin e votimit”, thuhet tutje. MPJD njofton diasporën me votimi mundësohet me letërnjoftim të Republikës së Kosovës, pasaportë të Republikës së Kosovës ose edhe me leje vozitje të Republikës së Kosovës. Sipas vendimit të KQZ-së, lejohet votimi edhe me dokument të skaduar. /Telegrafi/