Tajlanda dhe Kamboxhia kanë nënshkruar sot një marrëveshje armëpushimi që ndalon luftime të ashpra përgjatë kufirit të përbashkët, pas rreth 20 ditësh konfliktesh të përgjakshme - trazimi më i rëndë në vitet e fundit midis dy fqinjëve juglindorë të Azisë. Armëpushimi hyn në fuqi sot në orën 12:00 me kohën lokale, sipas një deklarate të përbashkët të ministrave të mbrojtjes të të dy vendeve. Marrëveshja parashikon ndalimin e të gjitha llojeve të armëve dhe pezullimin e lëvizjeve ushtarake, duke i kërkuar forcave që të ruajnë pozicionet ekzistuese pa dërguar forca të reja. Luftimet që rifilluan në fillim të dhjetorit pas një armëpushimi të mëparshëm të shkëputur, kanë rezultuar me të paktën 101 të vrarë dhe qindra mijëra të zhvendosur nga shtëpitë e tyre në zonat kufitare, raporton cnn . Në deklaratë theksohet se armëpushimi përfshin edhe një ndalim të sulmeve ndaj civileve, infrastrukturës dhe objektivave ushtarakë. Të dyja vendet ranë dakord të bashkëpunojnë edhe për operacione ç’minimi dhe luftë kundër krimit në internet. Marrëveshja u firmos nga ministri tajlandez i mbrojtjes, Natthaphon Narkphanit, dhe homologu i tij kamboxhian, Tea Seiha. Armëpushimi erdhi pas disa ditësh bisedimesh të zhvilluara në kuadër të Komitetit të Përgjithshëm Kufitar me praninë e vëzhguesve të ASEAN për të siguruar zbatimin e tij. Megjithatë, pavarësisht ndalimit të përleshjeve, marrëveshja nuk zgjidh mosmarrëveshjet territoriale që kanë zgjatur për dekada të tëra përgjatë kufirit prej rreth 817 km, të cilat do të vazhdojnë të trajtohen përmes bisedimeve dypalëshe. /Telegrafi/