Regjisori dhe aktori amerikan Tyler Perry është përballur me një tjetër padi të re për sulm seksual. Padia është ngritur nga aktori Mario Rodriguez, i cili ka qenë pjesë e filmit Boo! A Madea Halloween, dhe nga Perry kërkon dëmshpërblim në vlerë minimale prej 77 milionë dollarësh. Sipas pretendimeve të Rodriguezit, Tyler Perry e ka ngacmuar dhe sulmuar seksualisht për vite me radhë, duke shfrytëzuar pozitën dhe ndikimin e tij në industrinë e filmit. Mediat e huaja raportojnë se kjo është padia e dytë ndaj Perry-t brenda vetëm pak muajsh, ku ai akuzohet se ka përdorur pushtetin e tij në Hollywood për të përfituar nga kolegë më të rinj. Në qershor të këtij viti, edhe aktori Derek Dixon kishte ngritur një padi për ngacmim seksual ndaj Tyler Perry-t, duke e akuzuar se e kishte prekur dhe shqetësuar gjatë punës në serialet The Oval dhe Ruthless. Kjo padi fillimisht ishte dorëzuar në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit, por më pas raportohet se është transferuar në një gjykatë federale në shtetin e Georgias, aty ku ndodhet edhe studioja e Perry-t. Padia e Mario Rodriguezit është dorëzuar të enjten në Kaliforni dhe në të thuhet se Perry e ka ekspozuar atë ndaj sulmeve të përsëritura seksuale të padëshiruara për disa vite me radhë. Sipas dokumenteve gjyqësore, një nga incidentet më të rënda dyshohet se ka ndodhur në shtëpinë e Perry-t në Los Angeles, ku Rodriguez pretendon se ka përjetuar sulm dhe abuzim seksual. Përveç Tyler Perry-t, Rodriguez ka paditur edhe studion Lionsgate, distributoren e filmit të vitit 2016, duke pretenduar se kompania ka mbyllur sytë përballë sjelljeve të dyshuara të regjisorit. Avokati i Tyler Perry-t, në një deklaratë publike, ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat. Sipas padisë, ngjarjet kanë nisur që në vitin 2014, kur Rodriguez pretendon se një trajner në palestrën Equinox në Los Angeles i është afruar dhe i ka thënë se Tyler Perry kërkonte numrin e tij të telefonit, gjoja për të diskutuar një rol të mundshëm aktrimi. Më pas, Perry e ka inkurajuar të paraqitej në audicion për filmin “Boo! A Madea Halloween”, duke i thënë se nuk ishte “njeri i keq” dhe se duhej ta njihte më mirë. Rodriguez pohon se pasi mori rolin, u ftua në shtëpinë e Perry-t, ku ky i fundit dyshohet se e ka prekur në mënyrë të papërshtatshme gjatë shikimit të një filmi. Padia përshkruan edhe incidente të tjera të ndodhura në vitet 2016, 2018 dhe 2019, përfshirë tentativa për t’ia zbërthyer pantallonat dhe një rast tjetër ku Perry dyshohet se i ka vendosur dorën mbi organet gjenitale. Rodriguez gjithashtu pretendon se pas këtyre takimeve, Perry i ka dhënë disa herë nga 5 mijë dollarë. Aktori deklaron se i ka rezistuar këtyre veprimeve dhe se ka vendosur të ngrejë padi vetëm pasi është informuar për akuzat e ngjashme të bëra nga Derek Dixon. Në dokumentet gjyqësore, Rodriguez thekson se ka përjetuar sulm seksual, abuzim seksual dhe shkaktim të qëllimshëm të dhimbjes emocionale, për çka kërkon dëmshpërblim minimal prej 77 milionë dollarësh. /Telegrafi/