Të dielën, më 28 dhjetor qytetarët e Kosovës do të t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare. Kjo do të jetë hera e katërt që brenda këtij viti qytetarët i drejtohen kutive të votimit, më 9 shkurt në zgjedhjet parlamentare, në zgjedhjet lokale më 12 tetor, balotazhi më pas dhe këtë herë sërish për zgjedhjet parlamentare, më 28 dhjetor. E ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me të dhëna zyrtare për procesin zgjedhor të 28 dhjetorit. 2,076,290 persona me të drejtë vote janë regjistruar për votim, ndërkaq brenda vendit votimi do të organizohet në 948 qendra votimi me 2,614 vendvotime. Jashtë Kosovës, votimi fizik është parashikuar në 16 ambasada dhe 13 konsullata, ndërsa mbahen një ditë para zgjedhjeve në Kosovë, pra sot më 27 dhjetor. MPJD tashmë ka njoftuar se janë hapur qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti. Procesi i votimit do të zhvillohet në 40 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të ndryshme. Ndryshe, për këto zgjedhje janë certifikuar gjithsej 22 subjekte politike, duke përfshirë 18 parti, 3 koalicione parazgjedhore, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat të pavarur. Komisioni gjithashtu ka akredituar rreth 860 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për të monitoruar procesin. Institucionet përgjegjëse kanë paraparë mekanizma mbikëqyrës dhe procedura standarde për të garantuar transparencë dhe integritet zgjedhor. Procesi i votimit nis në orën 07:00 të mëngjesit me hapjen e vendvotimeve në të gjithë territorin e Kosovës. Qytetarët me të drejtë vote identifikohen përmes dokumenteve zyrtare dhe votojnë në mënyrë të fshehtë. Mënyrat për të plotësuar formularin për votim janë këto: Sigurohuni që fletëvotimi është i vulosur në pjesën e pasme, në anën e majtë, shënjoni vetëm një subjekt politik, në anën e djathtë, shënjoni deri në dhjetë kandidatë të atij subjekti politik dhe paloseni fletëvotimin dhe vendoseni në kutinë e votimit. /Telegrafi/