Graham Walker, ish‑drejtor ekzekutiv i kompanisë amerikane Fibrebond me qendër në Luiziana, bëri histori kur e shiti biznesin e familjes për 1.7 miliard dollarësh dhe siguroi që 540 punonjësit të marrin një pjesë të konsiderueshme të përfitimit. Para se të pranonte ofertën e blerjes nga kompania Eaton, Walker vendosi si kusht që 15 për qind e shumës së shitjes të shkonin tek punonjësit, edhe pse ata nuk zotëronin aksione në kompani. Në qershor, punonjësit filluan të marrin bonuse në vlerë totale prej 240 milionë dollarësh, me një mesatare rreth 443 mijë dollarë për secilin, të shpërndara gjatë pesë viteve – për sa kohë që ata vazhdojnë punë në firmë. Punonjësit me përvojë më të gjatë morën shuma edhe më të larta, raporton wallstreetjournal. Shumë prej tyre mbetën të habitur kur morën letër‑njoftime në lidhje me shumën e bonusit, disa fillimisht menduan se ishte shaka, ndërsa të tjerë u emocionuan thellë. Me këto para, punonjësit kanë paguar borxhe, blerë makina, paguar shkollimin e fëmijëve dhe financuar pensionet e tyre. Walker, i cili do të largohet nga posti i CEO‑s në fund të vitit, tha se kishte për qëllim të shpërblente punonjësit për besnikërinë dhe përpjekjet e tyre gjatë periudhave të vështira të biznesit dhe shpreson të dëgjojë në të ardhmen se si kjo gjest ka ndikuar jetët e tyre. /Telegrafi/