Votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, deri në orën 09:00 kanë votuar 8.64% e votuesve të regjistruar

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ka nisur në ora 07:00 procesi i votimit për qytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit. MPJD bën të ditur se deri në orën 09:00 kanë votuar 8.64% e votuesve të regjistruar. “Procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me procedurat e përcaktuara, ndërsa në shumë nga këto përfaqësi, po shënohet pjesëmarrje e lartë e qytetarëve, e cila dëshmon për angazhimin qytetar dhe lidhjen e fortë që mërgata jonë ka me atdheun. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në koordinim të vazhdueshëm me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësitë diplomatike, po ndjek nga afër mbarëvajtjen e procesit, duke siguruar kushte të përshtatshme për ushtrimin e së drejtës së votës për të gjithë qytetarët tanë jashtë vendit”, thuhet në njoftim. Vendvotimet do të jenë të hapura deri në ora 19:00. /Telegrafi/