Trumpi ka vënë në shënjestër ish-gjykatësin e Gjykatës Speciale

Ish-gjyqtari i Gjykatës Speciale për Kosovën, tani pjesë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), është vënë në shënjestër të sanksioneve të ashpra të administratës Trump. Për shkak të urdhërarrestit ndaj udhëheqësve izraelitë, Nicolas Guillou e gjen veten të radhitur krahas terroristëve në listat e zeza të Uashingtonit, duke humbur qasjen në llogari bankare, karta krediti dhe shërbime bazë digjitale. Francezi Nicolas Guillou ka një vit që punon në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN), e cila ndjek krimet e luftës dhe e ka selinë në Hagë. Më parë, 50-vjeçari Guillou, i cili është ekspert i së drejtës ndërkombëtare, ka punuar për tribunalet speciale të Kosovës dhe Libanit. Në vitin 2023, Guillou dhe krerë të tjerë të GJPN-së lëshuan një urdhërarrest kundër presidentit rus, Vladimir Putinit për shkak të krimeve kundër njerëzimit sipas Kartës së OKB-së. Akuza përmend sidomos kidnapimin e fëmijëve ukrainas nga Rusia. Ndjekja penale e Putinit nuk befasoi askënd, shkruan portali zviceran Watson në një analizë. Situata ndryshoi në nëntor 2024, kur GJPN shpalli në kërkim edhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant. Ata dyshohen se kanë kryer gjenocid në Gaza. SHBA-ja, si fuqi mbrojtëse e Izraelit, me urdhër të Trumpit, u mobilizua menjëherë kundër GJPN-së në Hagë. Ndaj nëntë gjyqtarëve dhe tre prokurorëve u vendosën gjithashtu sanksione. Mes tyre është edhe Guillou. Në intervistën e tij të vetme deri më tani për gazetën franceze “Le Monde”, ai tregoi se për qytetarët dhe kompanitë amerikane ai është tashmë një “persona non grata” (person i padëshiruar). Çdo kontakt me të është i ndaluar. Ai nuk ka më qasje ndaj platformave si Amazon, Airbnb ose Paypal. “Për shembull, bëra një rezervim hoteli në Francë përmes Expedia. Disa orë më vonë mora një e-mail ku thuhej se kjo nuk ishte e mundur për shkak të sanksioneve”, raportoi ai. Edhe një bankë franceze me marrëdhënie në SHBA i ka mbyllur llogaritë e Guillou. Kartelat e tij të kreditit si Visa, American Express ose Mastercard më nuk funksionojnë. “Nga një ditë në tjetrën mbetesh pa mjete pagese”, shpjegoi Guillou, i cili për drejtësinë amerikane tashmë është po aq i izoluar sa 15 mijë terroristë, krerë bandash apo bosë të mafias në listën e sanksioneve të Uashingtonit. Fuqitë e mëdha (SHBA, Rusia), përmes vetos së tyre, parandalojnë hetimet e GJPN-së në territorin e tyre ose te aleatët si Izraeli. Megjithatë, Putin u akuzua nëpërmjet Ukrainës, ndërsa Netanyahu nëpërmjet Palestinës - një manovër juridike e së drejtës ndërkombëtare. Kjo mbështetet nga organizatat e të drejtave të njeriut. /Telegrafi/