AC Milani vazhdon të shpresojë se do ta blindojë portierin Mike Maignan me një kontratë të re, ndërsa raportimet nga “La Gazzetta dello Sport” bëjnë të ditur se kuqezinjtë kanë paraqitur një ofertë të përmirësuar për francezin. Maignan, i cili ka zhvilluar 181 paraqitje zyrtare me fanellën e Milanit gjatë katër viteve e gjysmë të fundit, ndodhet tashmë në vitin e fundit të kontratës së tij në “San Siro”, e cila përfundon në fund të sezonit 2025/26. Skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri ende nuk ka arritur një marrëveshje përfundimtare me portierin 30-vjeçar, situatë kjo që ka vënë në alarm disa nga klubet më të mëdha të Evropës. Sipas raportimeve të fundit, në garë janë futur emra si Chelsea, Paris Saint-Germain dhe madje edhe Juventusi. “La Gazzetta dello Sport” raporton se Milani po “bën gjithçka që mundet” për ta bindur Maignan që të zgjasë kontratën, ndërsa në klub mbizotëron optimizmi se portieri francez do të vendosë të firmosë marrëveshjen e re. Raportet e publikuara gjatë festave të fundvitit bëjnë të ditur se Milani i ka ofruar Maignan një kontratë të re me vlerë rreth 7 milionë euro neto në sezon, përfshirë bonuset. Me këtë pagë, Maignan do të renditej në të njëjtin nivel me Rafael Leaon, si lojtari më i paguar i klubit. Kontrata e re do të ishte e vlefshme deri në vitin 2029 ose 2030. Megjithatë, thuhet se kërkesa e portierit francez nis nga 7.5 milionë euro neto në sezon, çka vazhdon të mbetet pika kryesore e mosmarrëveshjes mes palëve. Në rast se Milani nuk arrin ta bindë Maignan për të rinovuar, në skenë janë shfaqur edhe alternativa. Sipas mediave italiane, klubi po monitoron portierin e Corinthians dhe të kombëtares së Brazilit, Hugo Souza./ Telegrafi