Zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni ka komentuar rastin e vjedhjes së veturës së këngëtarit Adri Rogaqi në Zhelinë. Iseni në postimin e tij shkruan se vetura u gjet brenda 24 orëve falë reagimit të shpejtë të MPB-së. Ai shkruan se qytetarët e Kosovës janë të mirëseardhur në Maqedoninë e Veriut dhe si të tillë gëzojnë të gjitha të drejtat për aktivitete politike apo kulturore. Reagimi i plotë: Në shtetin tonë, qytetarët e Republikës së Kosovës gëzojnë të gjitha të drejtat e garantuara për aktivitet politik, liri proteste, veprimtari kulturore dhe zhvillim biznesi. Ata janë të mirëseardhur dhe ndihen të sigurt në Maqedoninë e Veriut, ashtu si çdo qytetar tjetër.Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj rendit, sigurisë publike dhe mbrojtjes së qytetarëve pa dallim. Reagimi i shpejtë dhe profesional i MPB-së bëri të mundur që vetura e këngëtarit Adrit të gjendet në kohë rekord, brenda 24 orëve.Siguria dhe rendi publik mbeten gjithmonë prioritet i MPB-së, me qëllim garantimin e qetësisë dhe sigurisë për të gjithë qytetarët dhe vizitorët në vend.