Një gjerman zbulon se arkitekti i Holokaustit ishte gjyshi i tij

Një gjerman 47-vjeçar, Henrik Lenkeit, rrëfen tmerrin që përjetoi kur zbuloi se gjyshi i tij ishte Heinrich Himmler, një nga kriminelët më të mëdhenj të historisë dhe arkitekt kryesor i Holokaustit. Henrik tha se ky zbulim ndryshoi gjithçka për të “jeta ime ishte një gënjeshtër. Nuk mund ta përballoj të jem i lidhur gjenetikisht me një njeri që ka shkaktuar aq shumë dhimbje dhe vdekje”, raporton skynews. Ai e kuptoi të vërtetën në vitin 2024, ndërsa shikonte një dokumentar mbi nazistët dhe gjeti foto të gjyshes së tij, Hedvig Potthast, me mbishkrimin “mikesha e Himmlerit”. Hulumtimet e mëtejshme zbuluan se Himmler ishte babai biologjik i nënës së Henrikut, duke e bërë Henrikun të afërm i drejtpërdrejtë i kriminelit nazist. Henrik shprehet i tronditur nga e kaluara e familjes “gjyshi im ishte një vrasës masiv, një djall. Unë dua të distancohem plotësisht nga e kaluara e tij dhe të kërkoj falje për viktimat e tij”. Hedvig Potthast, gruaja që Henrik e mbante mend si një figurë të dashur familjare, kishte qenë sekretarja e Himmlerit dhe e përfshirë në aktivitetet e regjimit nazist. Edhe pse Himmler ishte i martuar me një tjetër grua, ai e konfirmoi lidhjen e tij me Hedvig dhe nënën e Henrikut në regjistrat zyrtarë të lindjes. Ky zbulim ka bërë që Henriku të reflektojë thellë mbi identitetin dhe historinë e tij “Kush jam unë? Kush kam qenë?”. /Telegrafi/