Jovan Despotovski, funksionar shumëvjeçar dhe kuadër i LSDM-së, përmes një reagimi publik shprehu zhgënjim të thellë ndaj vendimeve të udhëheqjes aktuale të partisë, duke vlerësuar se pikërisht partia e tij amë e ka lënë “plotësisht pa fjalë dhe pa koment”. Në mesazhin e tij, Despotovski thekson se pas tri dekadash angazhim politik, së paku e kishte pritur një qasje të tillë nga LSDM-ja, duke nënvizuar se në të gjitha paraqitjet e tij publike ka qenë i matur dhe i përmbajtur, madje edhe në situata kur, siç thotë, ka pasur bazë për qëndrim të ashpër dhe të drejtpërdrejtë. “ Në të gjitha paraqitjet publike kam qenë maksimalisht i moderuar, madje edhe në situata dhe për njerëz që absolutisht kanë merituar qëndrim të ashpër. Nëse kjo maturi tani bëhet kërcënim për kryesinë aktuale të partisë, atëherë LSDM-ja ka një problem shumë më të madh sesa që mendojmë”, thekson Despotovski. Ai në mesazh dërgon edhe një kritikë të qartë ndaj personalizimit të partisë, duke theksuar se LSDM-ja gjatë historisë ka pasur dhe do të ketë personalitete shumë më të mëdha se cilido kryetar aktual. “LSDM-ja ka pasur dhe do të ketë personalitete shumë më të mëdha se kryetari aktual. Dhe askush prej tyre kurrë nuk e ka vendosur veten mbi partinë, mbi familjen tonë. Kjo nuk është LSDM-ja, as nuk do të jetë kurrë”, porosit ai. Në përfundim, Despotovski i drejtohet drejtpërdrejt liderit aktual të LSDM-së, Venko Filipçe, me një mesazh të qartë personal se nuk do të lejojë që angazhimi i tij shumëvjeçar të zhvlerësohet me një vendim të vetëm politik. “Me një vendim nuk mundesh, as nuk do të lejoj, të fshish 30 vjet punë, dashuri dhe sakrificë”, shkruan Despotovski.