Psikologët shpjegojnë cilat zakone të fëmijërisë përcaktojnë suksesin emocional dhe shoqëror në të rritur Të gjithë prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre të jenë të sjellshëm, empatikë dhe plot respekt, por shpesh përballen me presion të madh shoqëror dhe stereotipe se çfarë do të thotë të jesh një “prind i mirë”. Ky presion mund të krijojë një rreth vicioz, ku edhe fëmijët fillojnë të ndihen sikur nuk janë mjaftueshëm të mirë. Megjithatë, ekzistojnë tregues të qartë që dëshmojnë se keni bërë një punë të shkëlqyer si prind dhe ata pasqyrohen në zakonet që fëmijët tuaj i mbartin me vete edhe në moshën e rritur. 1. Marrin përgjegjësi për veprimet e tyre Një nga cilësitë më të mira që mund të ketë një i rritur është marrja e përgjegjësisë për veprimet personale. Të gjithë kemi hasur njerëz që nuk pranojnë kurrë gabimet e tyre, gjë që e bën çdo bisedë me ta të lodhshme dhe zhgënjyese. Nëse ia keni mësuar fëmijës tuaj të thotë “më fal” dhe të qëndrojë pas veprimeve të veta, jo vetëm që e keni përgatitur për sukses, por keni treguar edhe aftësi të shkëlqyera prindërore. Të gjithë gabojmë, kjo është pjesë e jetës. Por kur dikë e mësoni të marrë përgjegjësi, i jepni mundësinë të njohë dobësitë e veta, të punojë mbi to dhe të rritet si person. 2. Kanë sjellje të mira Nëse fëmijët tuaj të rritur tregojnë sjellje të mira, mund të jeni të sigurt se keni pasur sukses. Zakone të tilla si të thonë “të lutem” dhe “faleminderit”, apo të ndihmojnë në pastrimin e tryezës pas ushqimit, rrënjosin vlera që i përgatisin për jetën. Persona të tillë rriten duke u sjellë me respekt ndaj të gjithëve, duke mbajtur derën hapur për të tjerët apo duke iu drejtuar të moshuarve me mirësjellje. Siç ka theksuar psikologu klinik Ronald Stolberg, sjelljet janë mënyra se si i bëjmë gjërat. Kur ky themel vendoset në fëmijëri, ai mbetet për gjithë jetën. 3. Ju telefonojnë shpesh Fatkeqësisht, shumë njerëz i ndërpresin marrëdhëniet me familjen sapo rriten, për shkak të lidhjeve jo të shëndetshme. Nëse fëmija juaj i rritur ju telefonon shpesh, kjo është një shenjë e qartë se keni pasur sukses si prind. Kjo tregon se ata dëshirojnë të flasin me ju, të ndajnë detaje nga jeta e tyre nga puna te marrëdhëniet dhe se e vlerësojnë lidhjen tuaj dhe duan ta ruajnë të fortë, trandmeton Telegrafi. shutterstock 4. Janë mbështetje për njerëzit që duan Të rriturit që kanë mësuar të jenë mbështetje për njerëzit e afërt janë miq të mrekullueshëm, tek të cilët mund të mbështetesh gjithmonë. Kjo cilësi mësohet që në fëmijëri. Kur prindërit u ofrojnë mbështetje fëmijëve të tyre, është pothuajse e sigurt që edhe ata do ta vlerësojnë dhe do ta praktikojnë këtë zakon në moshën e rritur. Fëmijët thjesht pasqyrojnë atë që kanë parë tek ju. Nëse i keni ngushëlluar kur kanë qarë dhe u keni treguar sa krenarë jeni për ta, edhe ata do ta bëjnë këtë për të tjerët. 5. Ruajnë miqësi të forta Fëmijët që rriten në familje plot dashuri dhe mbështetje, në moshën e rritur krijojnë dhe ruajnë më lehtë miqësi të forta. Modelet që kanë mësuar në shtëpi i zbatojnë edhe në marrëdhëniet me miqtë. Siç shpjegon autorja Gretchen Rubin: “Lidhjet e forta shoqërore janë çelësi i lumturisë. Ju nevojiten marrëdhënie të afërta dhe afatgjata; duhet të jeni në gjendje t’u besoni të tjerëve; duhet të ndiheni pjesë e diçkaje; duhet të merrni dhe të jepni mbështetje… Marrëdhëniet e forta jo vetëm që e bëjnë jetën më të bukur, por edhe e zgjasin atë.” 6. Tregojnë empati Empatia është një aftësi që ushtrohet. Nuk mjafton vetëm të imagjinosh veten në vendin e tjetrit; empatia kërkon veprim dhe shprehje mbështetjeje. Nëse fëmija juaj i rritur tregon empati ndaj të tjerëve, keni çdo arsye të jeni krenarë. Konsulenti i lidershipit Gustavo Razzetti shpjegon se empatia është një superfuqi, nuk është vetëm ndjenjë, por diçka që duhet ta praktikojmë vazhdimisht për ta ruajtur. 7. Nuk dorëzohen kurrë Këmbëngulja dhe përkushtimi ndaj qëllimeve nuk vijnë vetvetiu, ato mësohen. Shumica e njerëzve që e kanë këtë aftësi janë rritur me inkurajim të vazhdueshëm nga prindërit, të cilët i kanë nxitur të japin më të mirën nga vetja. Në të kundërt, prindërit që minimizojnë ndjenjat e fëmijëve nuk i mësojnë ata rëndësinë e qëndrueshmërisë. Kur e mësoni një fëmijë të punojë për diçka derisa ta arrijë, me mbështetjen tuaj, i jepni një mjet të fuqishëm për gjithë jetën. 8. Shprehin mirënjohje çdo ditë Praktikimi i mirënjohjes na kujton të gjitha gjërat e mira që kemi në jetë, edhe në momentet e vështira. Nëse i keni mësuar fëmijët tuaj të jenë mirënjohës, ka shumë gjasa që këtë zakon ta kenë ruajtur edhe në moshën e rritur. “Mirënjohja lidhet vazhdimisht me nivele më të larta të lumturisë dhe kënaqësisë nga jeta”, shpjegon psikologia Jessica Keller, duke iu referuar studimeve që tregojnë se mbajtja e një ditari mirënjohjeje rrit ndjeshëm mirëqenien. 9. Menaxhojnë me zgjuarsi paratë Zakonet e shëndetshme financiare mësohen që në moshë të vogël. Kur prindërit u japin fëmijëve baza të forta, ata bëhen më të vetëdijshëm për shpenzimet e tyre dhe kjo u shpërblehet në afat të gjatë. Për shembull, milioneri autodidakt Jonathan Sanchez i mësonte fëmijët e tij rëndësinë e kursimit për të ardhmen duke përdorur fraza të thjeshta. Kur këto zakone rrënjosen herët, ato mbeten edhe në moshën e rritur. 10. Bëjnë vepra të mira pa u nxitur Nëse fëmijët tuaj bëjnë vepra të vogla mirësie pa ua kërkuar askush, mund të jeni të sigurt se keni pasur sukses. Ky zakon shpesh zhvillohet duke vëzhguar prindërit. Nëse fëmija juaj është rritur në një shtëpi ku vlerësohej mirësia, ka shumë gjasa që këtë aftësi ta ketë përvetësuar herët. Veprat e mira bëhen zakon kur i kryeni pa menduar gjatë, dhe shpesh mjaftojnë për t’ia përmirësuar dikujt ditën. 11. Mësojnë gjithmonë diçka të re Shumë të rritur, me kalimin e kohës, humbasin dëshirën për të mësuar dhe ngecin në rutinë. Megjithatë, nëse e keni rritur mirë fëmijën tuaj, ai nuk e humbet kurrë shkëndijën e kureshtjes. Ka zakonin të mësojë vazhdimisht, sepse e di se kjo e ndihmon në zhvillimin personal. Ta bësh mësimin një zakon të përjetshëm është çelësi i suksesit të vazhdueshëm, qoftë në karrierë, qoftë në ndërtimin e një jete më të pasur dhe bisedave më kuptimplota. /Telegrafi/