I ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” ishte futbollisti i njohur Albin Krasniqi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle , Air Munich dhe Exfis . Krasniqi ka rrëfyer në detaje rrugëtimin e tij në futboll, duke nisur nga vendimi i guximshëm për të shkuar në prova te Shkëndija si 15-vjeçar, një hap që fillimisht dukej i zakonshëm, por që shumë shpejt u shndërrua në një mundësi serioze për karrierën e tij. Ai u ndal edhe te takimi i parë me trajnerin Bylbyl Sokoli në Ferizaj, një moment që, sipas tij, i dha besim dhe shtysë për të vazhduar përpara. Futbollisti kosovar foli edhe për një nga dilemat më të mëdha të karrierës, kur kontrata me Shkëndijën ishte gati, por në fund vendosi të kalojë te Drita. Po ashtu, Krasniqi u tregua i sinqertë për periudhën e vështirë teksa ishte nën drejtimin e Adian Nuhiut, ku për 16 xhiro nuk mori minuta të mjaftueshme, por sa herë që u aktivizua, arriti të tregojë vlerat e tij. Një pjesë e veçantë e bisedës iu kushtua edhe finaleve, ku Krasniqi njihet si “njeriu i ndeshjeve vendimtare”, me dy finale të luajtura me Prishtinën, nga të cilat njëra mbetet e paharrueshme për të. Në fund, ai foli edhe për hapin e madh drejt futbollit jashtë vendit, kalimin në Ukrainë dhe rolin e rëndësishëm që pati Debatik Curri në realizimin e këtij transferimi. Episodin e plotë me Albin Krasniqin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në Youtube./ Telegrafi / - YouTube www.youtube.com