Barcelona po shkon drejt një situate të ndërlikuar në portë, pavarësisht faktit se ky repart konsiderohet si një nga më të mbuluarit në skuadër, raporton “Diario Sport”. Transferimi i Joan Garcia ka siguruar të ardhmen, por rikthimet e shumta nga huazimet pritet të detyrojnë klubin të marrë vendime të vështira në fund të sezonit. Garcia, i cili ka kontratë deri në vitin 2031, konsiderohet qartazi si portieri numër një i së ardhmes së Barcelonës. Brenda klubit pritet që ai ta mbajë këtë rol për shumë vite, duke qenë i vetmi portier me vend të garantuar titullari. Në anën tjetër, Marc-Andre ter Stegen, i lidhur me kontratë deri në vitin 2028, nuk është më pjesë e planeve të klubit. Barcelona i ka komunikuar portierit gjerman se nuk do të ketë minuta loje, por ai nuk është i gatshëm të largohet, përveçse në rast se i vjen një ofertë bindëse. Wojciech Szczesny ka rinovuar kontratën edhe për një sezon tjetër, por situata e tij mbetet e paqartë: kontrata mund të ndërpritet ose portieri polak mund të vendosë edhe për pensionim. Ndërkohë, Inaki Pena pritet të rikthehet nga huazimi te Elche, me vlerë të rritur në treg dhe interes nga disa klube. Po ashtu, edhe Ander Astralaga dhe Aron Yaakobishvili do të kthehen te Barcelona, ndërsa Diego Kochen mund të ketë nevojë për një tjetër huazim për të vazhduar zhvillimin e tij. Në klub pranojnë se mbipopullimi në portë është një problem real, por njëkohësisht shohin mundësi për të realizuar shitje, të cilat do të ndihmonin në gjenerimin e të ardhurave. Për Barcelonën, zgjidhja e këtij “nyje” në portë do të jetë një nga sfidat kryesore në planifikimin e sezonit të ardhshëm./ Telegrafi