Skepticizmi im mbi titullin “Poet Laureat”

Nga: Mujë Buçpapaj Në historinë e letërsisë, titulli Poet Laureat nuk ka qenë kurrë një dekor ceremonial, por një akt simbolik i konsolidimit të një hierarkie estetike. Që nga Ben Jonsoni i vitit 1616 në Angli, deri te modeli amerikan ku presidenti vepron mbi rekomandimin e Bibliotekës së Kongresit, poeti laureat ka qenë gjithnjë një figurë që përfaqëson jo vetëm lirinë krijuese, por edhe një standard të njohur estetik, etik, kulturor dhe kombëtar. Në Shqipëri, kjo praktikë është ende e brishtë, e pakonsoliduar dhe fatkeqësisht e ekspozuar ndaj ngatërrimit të vlerës estetike me zhurmën publike, të guximit poetik me provokimin banal, dhe të emancipimit me marketingun kulturor. Shpallja e Rita Petros si “Poete Laureate” për dyvjeçarin 2025-2027, nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, nën varësinë e Ministrisë së Kulturës, e rihap këtë problem jo si debat personal, por si çështje parimore të kriterit letrar. I. Problemi nuk është poetja, problemi është kriteri Dua ta bëj të qartë që në fillim: skepticizmi im nuk buron nga mohimi i së drejtës së Rita Petros për të shkruar çfarë të dojë, as nga një moralizëm provincial. Letërsia është e lirë. Autori është sovran në territorin e vet. Por, institucioni nuk është autor dhe çmimi nuk është akt krijues, por akt gjykimi. Kur një institucion shtetëror shpall një poet laureat, ai nuk po shpërblen vetëm një stil individual, por po propozon një model, një referencë për kanonin bashkëkohor, një figurë përfaqësuese për edukimin letrar, sidomos kur ky titull shoqërohet me nisma në shkolla dhe hapësira publike. Dhe, pikërisht këtu fillon problemi. II. Guximi poetik apo inflacioni i provokimit? Si studiues i letërsisë jam i habitur nga motivacioni i jurisë i cili flet për “trajtim të temave të guximshme”, “kapërcim tabush moralistike”, “energji ndikuese për emancipim individual dhe shoqëror”. Këto janë formulime ideologjike, jo kategori estetike. Në estetikë, guximi nuk matet me çfarë thuhet, por me si thuhet. Poezia erotike, trupore, intime ka një traditë të gjatë nga Katuli te Neruda, nga Bataille te poezia bashkëkohore feministe, por ajo gjithnjë e ka ndarë qartë kufirin midis erotikës dhe pornografisë, midis transgresionit estetik dhe shokut verbal. Problemi i librave si Vrima i Rita Petros, nuk është se “tronditin tabutë”, pasi janë libra mesatarë, por se shpesh nuk ndërtojnë një tension poetik që ta justifikojë tronditjen. Kur gjuha reduktohet në emërtim biologjik, pa metaforë, pa ambiguitet, pa shtresëzim simbolik, poezia humbet autonominë dhe bëhet thjesht deklaratë. Tabutë nuk përmbyten duke i thënë me emër, por duke i transformuar përvojat në formë estetike. III. Estetika nuk është energji, por formë Një tekst letrar nuk vlerësohet nga “energjia që çliron”, siç thuhet në motivacionin e jurisë, por nga kënaqësia estetike që prodhon, nga forma që i jep përvojës, nga inventari gjuhësor, nga aftësia për të krijuar domethënie të shumëfishta. Motivacioni i jurisë tingëllon më shumë si një deklaratë sociologjike ose terapeutike, sesa si gjykim letrar. “Emancipim individual dhe shoqëror” është gjuhë që e kemi dëgjuar edhe më pare, në forma të tjera, në sisteme ku letërsia përdorej për qëllime jashtëletrare. Ironia është se, dikur, poezitë e realizmit socialist shpërbleheshin për “ndikim shoqëror”, por zakonisht me çmime të treta, që të mos komprometohej plotësisht gjykimi estetik. Sot, duket se kemi bërë një hap pas: jo vetëm që kriteri është politizuar, por është banalizuar. IV. Poeti laureat dhe shkolla: një marrëdhënie delikate Ideja që poeti laureat të shkojë në shkolla është në vetvete e mirë. Por, jo çdo profil poetik është automatikisht i përshtatshëm për edukim letrar. Kjo nuk është censurë; është përgjegjësi pedagogjike. Në një shoqëri të tronditur nga tranzicioni, ku familja, shkolla dhe autoriteti kulturor janë dobësuar, modeli që i ofrohet të rinjve duhet të jetë estetikisht i konsoliduar dhe etikisht i padiskutueshëm. Debatet e shumta që ka prodhuar vepra e Rita Petros, përfshirë peticione publike dhe reagime nga figura tani si Natasha Lako, tregojnë se ky konsensus nuk ekziston. Poeti laureat nuk është rebel kundër gjithçkaje; ai është pikë reference. Vëllimi Vrima (2014), i interpretuar nga juritë institucionale si thyerje e tabuve moraliste, u perceptua nga një pjesë e konsiderueshme e kritikës si shembull i asaj që Theodor W. Adorno do ta quante negativitet i pafiltruar estetikisht: një shfaqje e drejtpërdrejtë e përmbajtjes, pa ndërmjetësimin e formës. Temat ekstreme, përfshirë edhe aluzione të diskutueshme ndaj incestit, nuk përpunohen në nivel simbolik, por ekspozohen në mënyrë deklarative, çka e zhvendos poezinë nga fusha e artit në atë të gjestit provokues. Tronditja, në këtë rast, nuk është rezultat i një strukture poetike të fuqishme, por zëvendësim i saj. Natyrisht, autorja ka të drejtën e plotë të kësaj zgjedhjeje; liria krijuese është e panegociueshme në një shoqëri të lirë, biles të shformësuar - siç është shoqëria shqiptare. Unë kam respekt për Riten si njeri, si familjare dhe botuese e shkëlqyer e librit shkollor. Problemi lind në momentin kur kjo krijimtari, me gjithë ambiguitetin e saj estetik, ngrihet nga institucioni shtetëror në rang modeli kulturor dhe moral. V. Alegoria e fundit: Laureati dhe Vrima Në fund, nuk mund të mos përdor një alegori poetike. Poeti laureat, në traditën klasike, është ai që ngre kupolën e gjuhës mbi kaosin e kohës. Por, kur kriteri estetik shndërrohet në vrimë, ku bien njësoj vlera, miqësi, pushtet dhe zhurmë, atëherë nuk kemi më kanon, por vakum. Dhe, vakumi nuk prodhon poezi; prodhon vetëm jehonë. Skepticizmi im, si poet dhe studiues i letërsisë, nuk është nostalgji për moralizma të vjetra, por ankth për humbjen e kriterit. Sepse, kur gjithçka shpallet guxim, atëherë asgjë nuk është më e tillë. Dhe, kur çdo provokim quhet poezi, poezia mbetet pa mbrojtje. Për të mos riprodhuar dhe legjitimuar poezinë mediokre, sidomos në kontekste ku ndërhyjnë institucione shtetërore, është e domosdoshme një rishikim rrënjësor i mekanizmave të vlerësimit estetik dhe i marrëdhënies së tyre me pushtetin politik. Në vend që të funksionojnë si hapësira autonome seleksioni dhe konkurrimi, këto institucione po shfaqen gjithnjë e më shumë si instrumente të shpërndarjes së kapitalit simbolik për subjekte të afërta me qeverisjen, duke e zhvendosur vlerësimin letrar nga fusha e estetikës në atë të klientelizmit kulturor. Në këtë skemë, juria e cila teorikisht duhet të mishërojë kompetencën kritike dhe pavarësinë profesionale, ka dështuar të ushtrojë funksionin e saj normativ, duke u reduktuar në një instancë formale që maskon vendime të paracaktuara dhe i vesh ato me një gjuhë pseudo-estetike. Ky kapitullim i gjykimit të pavarur përballë mediokritetit zyrtar përbën jo vetëm një krizë kriteresh, por edhe një degradim etik të vetë aktit kritik, duke vënë seriozisht në dyshim mundësinë që mendimi estetik autonom të mbijetojë në një klimë ku çmimi paraprin vlerën dhe jo anasjelltas. Institucioni i Poetit Laureat nuk është një shpikje lokale apo një improvizim administrativ, por një praktikë kulturore e konsoliduar në një sërë shtetesh me traditë të gjatë letrare, ku ai funksionon si mekanizëm simbolik i kanonizimit estetik dhe i ndërmjetësimit midis poezisë dhe sferës publike. Përveç Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara, modele të qëndrueshme të poetit laureat hasen në Kanada, Uells, Skoci, Irlandë, Zelandë të Re, Australi, si dhe në vende të tjera të Komonuelthit, ku ky rol mbështetet mbi kritere profesionale, procedura transparente dhe një konsensus kritik relativisht të gjerë. Në këto kontekste, poeti laureat nuk përzgjidhet për efektin e zhurmës mediatike apo për përputhshmëri ideologjike me pushtetin, por për peshën e dëshmuar të veprës, për autoritetin estetik dhe për aftësinë për të përfaqësuar në mënyrë dinjitoze kompleksitetin e traditës letrare kombëtare. Pikërisht kjo e bën këtë institucion një filtër të rëndësishëm kulturor, jo një dekor ceremonial: ai funksionon si instrument seleksioni, jo si shpërblim klientelist; si akt gjykimi estetik, jo si kompromis administrativ. Çdo devijim nga ky parim e zhvesh titullin nga funksioni i tij kulturor dhe e shndërron në një simulakër prestigji, duke e ekspozuar poezinë ndaj inflacionit të vlerës dhe institucioneve ndaj krizës së besueshmërisë. /Gazeta “Panorama”/