Kim Kardashian ka habitur ndjekësit pasi zbuloi se kohët e fundit i ka shpuar veshët në një dyqan të njohur aksesorësh gjatë një udhëtimi në Hawaii. Themeluesja 45-vjeçare e SKIMS e bëri rrëfimin në një vlog të Krishtlindjeve të publikuar në TikTok, ku tregoi se pirsingjet i kishte bërë te Claire’s, një rrjet i famshëm dyqanesh në qendrat tregtare. E veshur me një rrobë mëndafshi gri, Kim u shfaq duke u përgatitur për festën familjare, teksa shpjegoi se për një kohë të gjatë nuk kishte mbajtur vathë dhe vendosi t’i shpinte veshët sërish për ta pasur më të lehtë, shkruan DailyMail. “Vathët e vegjël të Claire’s janë të preferuarit e mi”, tha ajo para kamerës, duke shtuar se herë pas here i pëlqen t’i kombinojë edhe me bizhuteri luksoze të stilistes Lorraine Schwartz. Më pas, Kim provoi një palë vathë diamanti dhe reagoi me entuziazëm. Videoja nxiti reagime të shumta në rrjete sociale, ku shumë fansa u shprehën të befasuar, por edhe të kënaqur nga zgjedhja e saj. Në të njëjtin klip, Kardashian shfaqet edhe me fëmijët e saj gjatë momenteve festive në rezidencën luksoze në Hidden Hills, e dekoruar për Krishtlindje, si dhe zbulon se u ka dhuruar atyre këlyshë qenushësh, një gjest që mori reagime të përziera nga ndjekësit. /Telegrafi