Ky ishte viti kur “Perëndimi” vdiq - viti 2026 mund të jetë edhe më i keq

Nga: Francis Dearnley / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Javën e fundit të punës, para Krishtlindjeve, udhëheqësit e BE-së u mblodhën për atë që u cilësua si samit historik. Siç pritej, u përsëritën klishetë. “Vetëm Ukraina mund të përcaktojë kushtet e paqes”, këmbëngulën ata, duke bërë me dije progresin drejt anëtarësimit të Kievit në BE. Por, pas kësaj retorike, disa prej tyre - disa haptazi të rreshtuar me Moskën, të tjerët të paralizuar nga frika - kundërshtuan. Rezultati nuk ishte vendosmëria, por ekspozimi: një Evropë e përçarë për atë se si do të përballet me luftën që po riformëson të ardhmen e saj. Vërtet, asgjë nuk ndryshoi. Nëse kjo ta kujton takimin e BE-së javën e kaluar - ku Brukseli dështoi të zhbllokojë asetet e ngrira shtetërore ruse, humbi një mundësi të rrallë për t’i shkaktuar një goditje serioze Moskës dhe në vend të kësaj detyroi taksapaguesit të garantojnë një hua prej 90 miliardë dollarëve për Ukrainën - atëherë gabohesh. Po përshkruaj një samit nga një vit më parë, në dhjetor të vitit 2024, kur për herë të fundit më kërkuan të shkruaja një reflektim për vitin që vjen. Atëherë paralajmërova se, pavarësisht prej më shumë se një viti me sinjale të qarta se presidenca Trump ishte një mundësi reale, Evropa - përfshirë Britaninë - kishte dështuar të zhvillonte një strategji serioze dhe të pavarur për sigurinë e saj. Nuk pati riarmatim të shpejtë, as ashpërsim të qëndrimit për Ukrainën, as vija të kuqe për të penguar rezultatet më të këqija. Fati i Evropës - dhe i Ukrainës - mbeti i lidhur me vullnetin e mirë të një aleati i cili, siç argumentova, “së shpejti mund të tregojë se nuk është i besueshëm”. Dymbëdhjetë muaj më pas, pasojat e atij dështimi kanë qenë më të rënda sesa shumëkush kishte imagjinuar. Një Rusi e trimëruar, e inkurajuar nga tapeti i kuq që Trumpi ia shtriu Putinit në samitin katastrofik të Alaskës, tani haptazi provokon Evropën. Sulmet hibride janë intensifikuar, duke kulmuar me një inkursion të dronëve në hapësirën ajrore të Polonisë, gjë që detyroi NATO-n të përfshihej për herë të parë - në historinë e aleancës - në një përballje të drejtpërdrejtë me Rusinë. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë, duke ndier dobësinë, ka poshtëruar vazhdimisht ish-aleatët e saj evropianë, ndërsa sinjalizon qartë një dëshirë për pajtim me Moskën. Vitin e kaluar shkrova se Evropa “nuk ia kishte lënë vetes asnjë zgjedhje tjetër përveçse të kërkonte një mrekulli festive përtej Atlantikut”, duke mbështetur shpresat e saj te një paqe e negociuar me Putinin. Kjo shpresë mbështetej në një supozim të vetëm të brishtë: se Rusia do të negocionte - me mirëbesim. “Ajo që duket se askush nuk po pyet”, shkrova atëherë, “është çfarë ndodh nëse ajo nuk e bën këtë”. Kjo pyetje mbetet e nënvlerësuar në mënyrë të rrezikshme. Pavarësisht provave dërrmuese se Putini nuk ka asnjë synim për të përfunduar luftën, përveçse nëse plotësohen kërkesat e tij - kërkesa që do të copëtonin sovranitetin e Ukrainës dhe do të dobësonin përgjithmonë sigurinë evropiane - në shumë kryeqytete vazhdon një iluzion kokëfortë. Se lufta do të përfundojë shpejt. Se një marrëveshje e keqe e imponuar ndaj Kievit mund të përballohet. Ose se ruajtja e ndihmës në nivelin e tanishëm do ta lodhë përfundimisht Rusinë deri në një armëpushim. Po, ekonomia e Rusisë është nën trysni. Dhe, po, është e mundur që Putini në një moment të vendosë të pezullojë luftën e tij. Por, historia ofron pak ngushëllim. Regjimet që kalojnë me sukses në një ekonomi lufte rrallëherë tërhiqen vullnetarisht. Në fakt, shpenzimet ushtarake të Kremlinit janë rritur ndjeshëm, industria e tij është rikalibruar dhe ndonëse ky model nuk është pafundësisht i qëndrueshëm, ai krijon nxitje të fuqishme për të vazhduar. Lufta premton jo vetëm përfitim strategjik, por edhe shpëtim financiar - borxhe të shtyra ose të shlyera përmes pushtimit. Kjo është arsyeja pse paralajmërimet e dhëna nga krerët e shërbimeve inteligjente, në të gjithë Evropën, kërkojnë vëmendje urgjente. Nuk ka asnjë shenjë që Moska ka ndërmend të zmbrapset, as në Ukrainë, as në fushatën e saj të frikësimit të Evropës. Disa vlerësime shkojnë edhe më tej, duke sugjeruar se Rusia tashmë po provokon përtej Ukrainës - veçanërisht në shtetet baltike - duke testuar vendosmërinë e NATO-s, duke gërryer besimin te Neni 5 dhe duke llogaritur se Evropa do të hezitojë nëse Rusia sajon një krizë atje - duke vendosur “njerëz të vegjël të gjelbër” dhe më pas trupa, siç ka bërë më parë, teksa Shtetet e Bashkuara shikojnë diku tjetër. Tani që besueshmëria amerikane s’është më e sigurt, përfundoi bota të cilën brezat evropianë e merrnin si të mirëqenë. Kështu, viti 2025 mund të mbahet mend si viti kur “Perëndimi” pushoi së funksionuari si një koncept politik që ka kuptim. Vizioni i Woodrow Wilsonit për një “komunitet demokratik fuqie” është zëvendësuar nga fjalori për “sfera ndikimi” - gjuhë që ia dorëzon terrenin moral regjimeve autoritare dhe legjitimon pushtimet atje ku nuk duhet lejuar kurrë. Sepse, këtu qëndron thelbi. T’ua mohosh njerëzve të drejtën për të zgjedhur të ardhmen e tyre - ashtu siç duket se bëjnë bisedimet aktuale për paqe - do të thotë të braktisësh vetë demokracinë. Ukrainasit e bënë zgjedhjen e tyre nëpërmjet votës. Putini nuk ka asnjë të drejtë ta përmbysë atë me forcë, përveç nëse jemi të gatshëm të kthehemi te rregullat e shekullit XIX. Dhe, ky është rreziku më i thellë: jo një luftë me Rusinë në izolim, por një luftë e ardhshme - ndoshta me Kinën - e lindur nga erozioni i qëllimshëm i parimeve që ruajtën paqen për dekada. Në fund të artikullit tim, të vitit të kaluar, paralajmërova se, në vitin 2025, Rusia do të mund të refuzonte krejtësisht negociatat, ose të shtirej sikur negocion me mirëbesim teksa i zvarrit ato. Në fund, Putini bëri të dyja - duke llogaritur që padurimi amerikan do ta bënte pjesën tjetër. Skenari më i mirë ishte që keqbesimi i Moskës të dilte më në fund haptazi, duke nxitur Uashingtonin të shtonte mbështetjen për Ukrainën. Sot, kjo duket pothuajse e pamundur. Ndryshimi ideologjik në Shtetet e Bashkuara është i thellë. Gati përditë Trumpi lëvdon “marrëdhënien e mirë” me Putinin, duke mos humbur asnjë rast për të sulmuar presidentin Zelensky. Është, pa dyshim, një botë e re. E mbylla artikullin e vitit të kaluar me një paralajmërim për koston e mosveprimit: nëse heq dorë nga parimet, më pas heq dorë nga territori - “dhe vdesin njerëzit e pafajshëm”. Që atëherë, shumë më tepër njerëz të pafajshëm kanë vdekur. Dhe, më shumë do të vdesin vitin e ardhshëm nëse asgjë nuk ndryshon. Dhe, një ditë, mund të mos jenë njerëz të pafajshëm në një “vend të largët”, por bijtë dhe bijat tona që do të paguajnë çmimin për dështimin tonë për të vepruar kur ende kishte kohë. /Telegrafi/