Përballja e fundjavës së ardhshme në La Liga mes Espanyolit dhe Barcelonës në stadiumin RCDE pritet të jetë tejet e zjarrtë, me dy rivalët e qytetit që përballen për herë të parë këtë sezon. Tensioni do të jetë edhe më i madh për shkak të rikthimit të Joan Garcias në ish-klubin e tij, për herë të parë që nga transferimi i tij veror te Barcelona. Kalimi i portierit te rivalët katalanas u kritikua ashpër nga shumë figura të lidhura me Espanyolin, ndërsa tifozët e klubit pritet ta konsiderojnë atë si “armikun numër një” në ndeshjen e së shtunës së ardhshme. Në pritje të mundshmeve reagime armiqësore ndaj portierit, drejtuesit e Espanyolit kanë vendosur të ndërmarrin masa shtesë sigurie. Sipas Cadena SER , klubi po planifikon instalimin e rrjetave mbrojtëse pas të dy portave, me qëllim që të parandalohet hedhja e objekteve në fushë. Espanyoli, i cili është ndëshkuar edhe më parë për raste të ngjashme, dëshiron të shmangë çdo incident në ndeshjen e parë të vitit 2026, pasi Federata Spanjolle e Futbollit mund të vendosë sanksione të rënda në rast të një shkeljeje tjetër. Klubi e konsideron të domosdoshme vendosjen e rrjetave në të dy skajet e stadiumit RCDE, megjithatë kjo masë ka hasur në kundërshtimin e një grupi tifozësh, La Curva, që është pjesë e Grada Canito./ Telegrafi /