Spitali në Skoci djeg trupin e gabuar, nisin hetimet

Një spital në Glasgow, Skoci, ka nisur një hetim pasi kanë djegur trupin e personit të gabuar. Gabimi serioz e la një familje pa marrë mbetjet e të dashurit të saj në funeral, ndërsa një tjetër duhet të përballet me faktin se trupi i anëtarit të familjes së saj iu dorëzua gabimisht firmave të varrimeve dhe u dogj, raporton The Guardian . Spitali Universitar Queen Elizabeth në Glasgow, spitali më i madh i Skocisë, u ka kërkuar falje dy familjeve të prekura nga ky gabim. NHS Greater Glasgow dhe Clyde, i cili drejton spitalin, konfirmoi se një hetim i plotë është nisur për incidentin muajin e kaluar dhe stafi përgjegjës është pezulluar. Shkaku u përmend si "gabim njerëzor", me spitalin që pranoi se nuk ishin ndjekur procedurat për identifikimin dhe shënimin e trupave para dorëzimit të tyre nga morgu. Dr. Scott Davidson, drejtor mjekësor i NHS Greater Glasgow dhe Clyde, u ofroi falje të sinqerta të dyja familjeve. "Ne kemi procese shumë rigoroze në vend për identifikimin dhe shënimin e trupave që nga mbërritja e tyre në morgjet tona deri në dorëzimin e tyre nën kujdesin e ndërmarrjes së varrimeve", tha ai. "Na vjen shumë keq që këto procese nuk u ndoqën në këtë rast dhe si rezultat, u shkaktuan shqetësime të konsiderueshme shtesë dy familjeve në një kohë tashmë shumë të vështirë", shtoi Davidson. /Telegrafi/