Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka shprehur mbështetjen e tij për Ermal Sadikun, kandidat i LDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e inovacionit, dijes dhe teknologjisë për të ardhmen e vendit. Rama vlerësoi eksperiencën e Sadikut në industrinë e teknologjisë, duke theksuar se kjo përvojë i jep atij njohuritë e nevojshme për të udhëhequr transformimin digjital të Kosovës. “E ardhmja e Kosovës ndërtohet me inovacion, dije dhe teknologji. Ermal Sadiku, përveç se zotëron këto tre dimensione, ka edhe vullnetin për ta realizuar këtë përmes besimit të qytetarëve,” tha Rama. Ai shtoi se vizioni i Sadikut për një Kosovë të mençur përfshin institucione transparente, shëndetësi moderne dhe arsim efikas. Rama nënvizoi gjithashtu se vullneti i Sadikut për të shërbyer transformimit digjital duhet të bashkëpunohet me përkushtimin e qytetarëve për t’i besuar këtë sfidë. “Mbështetja për Ermal Sadikun është mbështetje për inovacionin, dijen dhe të ardhmen e Kosovës,” përfundoi Rama, duke bërë thirrje për besimin dhe përkrahjen qytetare në këtë garë zgjedhore.