Rreth dy milionë qytetarë votojnë të dielën, KQZ: Rezultatet e para, para orës 20:00

Rreth dy milionë qytetarë të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë të dielën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se “përgatitjet janë përmbyllur që votimi të zhvillohet në 910 qendra gjithandej Kosovës”. Numërimi i votave për partitë politike do të nisë menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatet e para pritet të publikohen “para orës 20:00”. Të drejtë vote kanë 1,999,024 persona. Një ditë para zgjedhjeve, KQZ njoftoi se “janë zhvilluar të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit”. “Gjatë ditës së shtunë është shpërndarë materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet nga depoja qendrore e KQZ-së për në qendrat komunale të numërimit, nga ku të dielën në mëngjes do të dërgohet në qendrat e votimit në më shumë se 900, të cilat do të hapen në orën 7:00 për qytetarët me të drejtë vote,” ka theksuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Përveç qendrave të rregullta të votimit, në secilën komunë do të ketë nga një qendër për votim me kusht. “Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 910 qendra të votimit në 2,557 vendvotime. Pra, në to do të mundësohet votimi i rregullt, ndërkaq në çdo komunë do të kemi nga një qendër votimi me gjithsej 57 vendvotime ku do të mundësohet procesi i votimit me kusht,” ka bërë të ditur Elezi. Numërimi i votave për kandidatët për deputetë do të bëhet në qendrat komunale të numërimit dhe do të nisë të hënën. Siguria e procesit do të monitorohet nga Policia e Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit, ku janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial. Përveç organizatave joqeveritare dhe disa ndërkombëtare, vëzhgues i zgjedhjeve është edhe Këshilli i Evropës, me 23 vëzhgues të akredituar. Policia ka njoftuar se ka hartuar planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të së dielës, në aspektin e sigurisë së procesit zgjedhor dhe koordinimit ndërinstitucional. Ajo inkurajon qytetarët të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar ose veprim të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor. Institucioni i Avokatit të Popullit gjithashtu do të vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ai do të monitorojë gjithashtu procesin e votimit në institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, në shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, si dhe në shtëpitë integruese në bashkësi. Pas një takimi me KQZ-në, KEDS njoftoi se ka përmbyllur planin operativ për furnizim të pandërprerë me energji elektrike gjatë ditës së zgjedhjeve. KEDS ka bërë të ditur se do të angazhohen gjithsej 1,049 punëtorë, të organizuar në 140 ekipe në mbarë vendin.