Kryetari i KQZ-së, Radoniqi fton qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e votës

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi pasi ka hedhur votën e tij sot në Pejë për zgjedhjet nacionale u ka bërë apel qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Radoniqi në një deklaratë për media tha se KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndonëse koha ishte e shkurtër dhe kishte sfida. “Nga ana e KQZ-së të gjitha përgatitjet janë bërë përkundër kohës së shkurtër dhe sfidave që kemi pas, kemi arritur që procesi të fillojë me kohë, trajnimet, çështjet logjistike janë përfunduar me kohë...”, tha ai, raporton Telegrafi. I pari i KQZ-së tutje tha se edhe procesi i votimit në diasporë ka shkuar mirë. Ai uroi që dita e zgjedhjeve të shkojë qetë e mbarë për të gjithë dhe të mos ketë probleme gjatë procesit të votimit. /Telegrafi/