Kees Smit pritet të shndërrohet në një nga mesfushorët më të kërkuar të vitit 2026. I lindur në vitin 2006, talenti i AZ Alkmaar ka pasur një ngritje të jashtëzakonshme në karrierë, duke u afirmuar me shpejtësi si një nga emrat më premtues të futbollit evropian. Smit debutoi me ekipin e parë të AZ-së në moshën 18-vjeçare, ndërsa vetëm një vit më vonë shkëlqeu në Kampionatin Evropian U-19, ku jo vetëm që fitoi trofeun me Holandën, por u shpall edhe lojtari më i mirë i turneut (MVP). Performancat e tij kulmuan me katër gola në pesë ndeshje në atë kampionat, duke e vendosur fuqishëm në radarin e elitës evropiane. Interesim për mesfushorin holandez kanë shfaqur disa nga klubet më të mëdha të kontinentit, përfshirë Real Madridin, Barcelonën, Bayern Munichun, Chelsean dhe Newcastle. Vetë lojtari ka pranuar se është i vetëdijshëm për vëmendjen në rritje, duke theksuar se përmendja e shifrave kaq të mëdha nuk është e lehtë për t’u injoruar, por se prioriteti i tij mbetet zhvillimi i qetë dhe i qëndrueshëm me AZ Alkmaar. Edhe pse AZ njihet si klub që zhvillon dhe shet talente, drejtuesit mbajnë një pozicion të fortë negociues. Smit ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2028 dhe, sipas raportimeve, bisedimet për një transferim të mundshëm pritet të nisin nga shifra rreth 60 milionë euro. /Telegrafi/