Zgjedhjet parlamentare janë një moment kyç për demokracinë, pasi përmes tyre qytetarët ushtrojnë të drejtën e tyre themelore për të zgjedhur përfaqësuesit dhe për të ndikuar drejtimin politik të vendit. Përmes një njoftimi thuhet se kredibiliteti i këtij procesi varet nga transparenca, respektimi i ligjit dhe nga besimi se vota e çdo qytetari është e lirë dhe e barabartë. Në këtë kontekst, vëzhgimi i pavarur i zgjedhjeve luan një rol të rëndësishëm në forcimin e besimit publik dhe në rritjen e llogaridhënies së të gjithë akterëve të përfshirë. "Demokracia në Veprim (DnV) po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 500 vëzhgues statikë, të cilët janë janë prezentë në 500 vendvotime, të përcaktuara në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme. Vëzhguesit tanë gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesi i votimit e deri tek përfundimi i numërimit të votave për subjektet politike. Vëmendje do t’i kushtohet respektimit të procedurave të votimit dhe numërimit, garantimit të fshehtësisë së votës dhe qasjes së barabartë në votim për të gjithë qytetarët me të drejtë vote", thuhet në njoftim. Po ashtu siç thuhet në njoftim si mision vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve, ne veprojmë në mënyrë të paanshme dhe të pavarur, në përputhje me ligjet dhe standardet ndërkombëtare për vëzhgimin e zgjedhjeve. "Sot gjatë ditës, në intervale të rregullta do t’i përcjellim informatat nga terreni përmes konferencave për media dhe përmes rrjeteve tona sociale. Të drejtë vote për zgjedhjet brenda Kosovës kanë 1,999,204 votues, prej të cilëve 7,192 janë votues të rinj të cilët pas zgjedhjet e fundit lokale të 12 tetorit 2025 i kanë mbushur 18 vjet". DNV përmes njoftimit thuhet se i inkurajojnë të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e proceseve demokratike duke votuar lirshëm dhe duke respektuar rregullat e zgjedhjeve. "Pas procesit të votimit që u zhvillua dje në misionet diplomatike të Kosovës në 18 shtete (16 Ambasada dhe 13 Konsullata), e ku votuesit që jetojnë jashtë kishin mundësinë që të votojnë edhe fizikisht, DnV beson që një atmosferë e njëjtë demokratike do të përcillet edhe në zgjedhjet që po mbahen sot në Kosovë". /Telegrafi/