Dy qytetarë kanë raportuar në polici një rast të dyshuar të cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve dhe kanosjes, që ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në Mitrovicë të Veriut. Sipas informatave zyrtare, ankuesit kanë deklaruar se në intervalin kohor nga ora 18:55 deri në ora 18:59 të datës 27.12.2025 janë përballur me ushtrim presioni ndaj tyre, në lidhje me Zgjedhjet Parlamentare. "Dy ankues kanë raportuar në lidhje me ushtrimin e presionit ndaj tyre për Zgjedhjet Parlamentare", thuhet në raportin e Policisë, përcjell Telegrafi. Lidhur me rastin, autoritetet kompetente kanë njoftuar prokurorin e shtetit, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar rrethanat dhe për të identifikuar personat e përfshirë. Policia ka bërë të ditur se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për trajtimin e rastit dhe garantimin e ushtrimit të lirë të së drejtës së votës. / Telegrafi /