"Kryeministri ende nuk ka kërkuar falje për akuzat e pabazuara dhe fyese që u bëri publikisht administratorëve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike , duke ofenduar jo vetëm ata , por edhe familjet e tyre . Me deklaratat e tij , ai shpifi pa asnjë fakt , pa asnjë provë dhe pa asnjë përgjegjësi , ndaj gra dhe burra që fillimisht u poshtëruan me kushte çnjerëzore pune dhe më pas u shndërruan në objekt linçimi publik" kështu reaguan sot nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Nga BDI shtojnë se ministri përgjegjës Stoilkoviç ende nuk ka dhënë dorëheqje, ndonëse nën drejtimin e tij u krijuan kushte degraduese pune dhe u lejua një praktikë e papranueshme e mobingut institucional dhe diskriminimit etnik. "Mungesa e dorëheqjes dhe mungesa e faljes nuk janë rastësi. Ato janë dëshmi e një qeverisjeje që nuk njeh përgjegjësi politike dhe që e konsideron poshtërimin e punonjësve shqiptarë si çështje dytësore. Ndërkohë , VLEN jetojnë në një univers paralel , të zhytur në debate për rotacione vjetore të lidershipit dhe pazare për rregullimin e karrikeve të tyre , sikur asgjë të mos ndodhë në institucionet e shtetit e ndërsa ata merren me “ akuariumin ” e rotacioneve , administratorët shqiptarë përjashtohen , nënçmohen dhe etiketohen në administratën shtetërore , pa mbrojtje , pa dinjitet dhe pa zë . Kjo është politikë e qëllimshme e përjashtimit dhe frikësimit , e shoqëruar me arrogancë. BDI kërkon sërish dhe pa ekuivok : falje publike nga Kryeministri për shpifjet dhe ofendimin ndaj punonjësve dhe familjeve të tyre , dorëheqje të menjëhershme të ministrit përgjegjës dhe ndalje të menjëhershme të praktikave diskriminuese ndaj shqiptarëve në institucionet shtetërore . Çdo ditë pa përgjegjësi e zhyt edhe më thellë këtë qeveri në krizë morale dhe politike . Dinjiteti njerëzor nuk është temë për rotacion , por vijë e kuqe që nuk guxon të shkelet", thuhet në reagimin e BDI-së.