S’i lejohet ta ndihmojë bashkëshorten, qytetari në Prizren shqyen fletëvotimin

Një incident është shënuar sot në qendrën e votimit në shkollën “Mustafa Bakija” në Prizren, ku një qytetar i moshuar ka shqyer fletëvotimin gjatë procesit të votimit. Sipas Policisë, qytetari ka reaguar në shenjë revolte pasi komisioni zgjedhor nuk e ka lejuar ta ndihmojë bashkëshorten e tij gjatë votimit. Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se Policia ka ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes. “Policia ka shoqëruar qytetarin në stacion policor, ku është duke u intervistuar. Në konsultim me prokurorin e shtetit do të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore,” ka deklaruar Bytyqi për Telegrafin. Policia ka bërë të ditur se situata në qendrën e votimit është qetësuar dhe procesi zgjedhor po vazhdon normalisht. /Telegrafi/