Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla ka bërë të ditur se numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në këtë klinikë po shënon rritje të vazhdueshme. Sipas tij, vetëm gjatë këtij viti Klinika Emergjente ka trajtuar 99 mijë e 17 pacientë, ndërsa deri në fund të vitit pritet që ky numër ta kalojë shifrën prej 100 mijë pacientësh, çka, sipas Sylës, është jashtë çdo kontrolli. “Çdo klinikë në fund të vitit i nxjerr statistikat e veta. Në Klinikën e Emergjencës i kemi pas 99,017 pacientë dhe ky numër do ta kalojë edhe 100 mijë deri në fund të vitit. Kjo është jashtë çdo kontrolli dhe shumë shqetësuese”, ka deklaruar Syla. Ai ka theksuar se ndryshe nga vendet evropiane, ku numri i rasteve të referuara në nivelin terciar po bie nga viti në vit, në Kosovë po ndodh e kundërta. Sipas tij, niveli terciar përveç trajtimit profesional, duhet të ketë rol edukativ dhe të fokusohet në përgatitjen e kuadrove të reja mjekësore, si specializantë dhe studentë. “Te ne numri i pacientëve është në rritje të vazhdueshme, gjë që tregon mbingarkesë të sistemit shëndetësor”, ka shtuar ai. Syla ka bërë të ditur se rritje është shënuar edhe në numrin e aksidenteve të komunikacionit. "Mes jetës dhe vdekjes na ndan një fije e hollë", mjeku i Emergjencës Naser Syla në podcastin "Shëndeti në rend të parë" Gjatë këtij viti janë regjistruar 7 mijë e 207 raste, krahasuar me 6 mijë e 894 raste sa ishin vitin e kaluar. Po ashtu, në rritje është edhe numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë emergjente për sëmundje kardiovaskulare, si dhe numri i të plagosurve. Siç tha Syla këtë vit janë trajtuar 111 të plagosur, ndërsa vitin e kaluar ky numër ishte 101. Një tjetër shqetësim serioz, sipas drejtorit të Klinikës Emergjente, është rritja e rasteve të tentim-vetëvrasjeve. “Edhe për numrin e personave që kanë tentuar vetëvrasje janë diku 450 raste në krahasim me vitin e aluar që ka qenë 402 raste”, ka thënë Syla. Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”: - YouTube www.youtube.com